Basha kërkon mbështetje për protestat

Shqipëria

Basha kërkon mbështetje për protestat

Më: 9 janar 2018 Në ora: 09:48
Lulzim Basha

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë dakordësuar qëndrimin për të nisur një stinë protestash në vend si dhe për të vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, priti dje në selinë e PDsë kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu, kreun e PAA-së, Agron Duka, kreun e LZHKsë, Dashamir Shehin dhe kreun e PDK-së, Nard Ndoka, me të cilët diskutoi mbi hapat që do të ndiqen për organizimin e protestave popullore në të gjithë vendin.

Burime nga takimi me dyer të mbyllura, që zgjati për 90 minuta, sqarojnë se data më e mundshme për organizimin e protestave është data 27 janar. Vendimi për datën e zhvillimit të protestave do të merret sot në mbledhjet që kreu i PD-së, Lulzim Basha, do të zhvillojë me grupin parlamentar dhe kryetarët e PD-së në rrethe.

Në përfundim të takimit me aleatët e djathtë, Basha mohoi që pas protestës opozita të ngrejë një çadër të dytë në bulevard, por premtoi bashkimin e shqiptarëve në një aleancë vlerash kundër qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

“Përsëritje nuk do të ketë, do të ketë të reja. Do të jetë një vullnet edhe më i fortë i opozitës dhe jam i sigurt, një përgjigje akoma më e madhe popullore. Protestat janë pjesë e një aksioni kompleks opozitar, qëllimi i të cilit është të mobilizojë të gjithë energjitë pozitive të shqiptarëve. Të thërrasë të gjithë shqiptarët në një aleancë vlerash, që përfaqëson ky koalicion opozitar. Ne marrëdhënien me Parlamentin do ta kemi të kushtë- zuar me interesin publik dhe me aktin e rëndë e të pafalshëm që është dhunimi i Kushtetutës”, tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi se protestat popullore janë thirrur në një kohë që qytetarët nuk kanë mundësi të ushqehen dhe qeveria bëhet gati të nisë aksionin e ujit. “Opozita e ka marrë këtë angazhim në një kohë kur 300 mijë shqiptarë nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Ku 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritës dhe krimi i veshur me pushtet, pushteti i bërë njësh me krimin me figurën e Edi Ramës, bëhet gati të fillojë aksionin për ujin”, tha kreu i PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat