Do hidhen miliona euro edhe këtë vit, por ndërtuesit i frikësohen një "flluske"

Shqipëria

Do hidhen miliona euro edhe këtë vit, por ndërtuesit i frikësohen një "flluske"

Më: 10 janar 2018 Në ora: 08:33
Tirane

Teksa numri i lejeve të ndërtimit është rritur me shpejtësi gjatë 2017-s, duke u dyfishuar në raport me nëntëmujorin e 2016 për gjithë vendin dhe duke u trefishuar në Tiranë, ndërtuesve u ka rënë optimizmi në lidhje me ecurinë e kërkesës për blerje dhe çmimeve jo shumë premtuese.

Banka e Shqipërisë, në anketën që ka bërë me kompanitë e sektorit, në kuadër të indeksit të besimit, ka gjetur se kontratat e porosive në ndërtim kanë rënë ndjeshëm në tremujorin e katërt të 2017. Siç shihet nga të dhënat, kontratat e porosive shënuan rënie të mëtejshme me 10% në krahasim me tremujorin e tretë të 2017-s.

Gjithashtu pritshmëritë për çmimet vijojnë të jenë negative. Balanca e përgjigjeve të ndërtuesve për çmimet ishte negative me 4% në tetor-dhjetor.
Pas rritjes për tre tremujorë radhazi, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 12.4 pikë përqindje. Rënia e zhvendosi TBN-në rreth 5.3 pikë përqindje nën mesataren historike të tij.

Pak ditë më parë, ekspertë nga Shoqata e Ndërtuesve u shprehën se janë të frikësuar nga zhvillimet e pakontrolluara në sektorin e ndërtimit sidomos në banesa. Sipas tyre, oferta e lartë me ndërtime të reja nuk po zhvillohet mbi një kërkesë reale dhe të qëndrueshme, duke vënë në dyshim efektivitetin e investimeve të reja.

Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë, duke qëndruar në 59.0%. Kjo normë është rreth 3.3 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 5.1 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.

Megjithatë, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, bizneset e sektorit të ndërtimit vlerësohet të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë lehtësisht më të lartë. Për sa i takon balancës së gjendjes financiare, ajo rezultoi e përmirësuar në tremujorin e katërt.

Por, nga ana tjetër, e gjithë Shqipëria po të kthehet në kantier ndërtimi. Pothuajse në të gjitha qarqet rezulton një rritje e ndjeshme e lejeve të ndërtimit, sipas të dhënave në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa në kryeqytet, rritja ka filluar që në tremujorin e parë të vitit.

Sipas të dhënave të INSTAT, për gjithë 9-mujorin 2017 janë dhënë gjithsej 608 leje, 27% e të cilave (167) kanë qenë në Tiranë.
Në krahasim me 9-mujorin e vitit 2016, kur u dhanë në gjithë vendin 308 leje, në 2017-n ato janë dyfishuar (rritje 97%).

Pas Tiranës, në vlerë absolute numri më i lartë i rritjes së lejeve të ndërtimit është në Fier, ku janë dhënë 67 leje më shumë, e ndjekur nga Vlora me 48 leje më shumë dhe Durrësi me 38 leje më shumë.

Në tremujorin e tretë 2017 ka një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna në qytetin e Korçës, i cili është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, ku janë dhënë 57 leje, nga më pak se 6 leje që janë dhënë mesatarisht tremujorët e mëparshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat