Pakënaqësitë brenda opozitës për LSI-në, ja ç'thotë Dashamir Shehi

Shqipëria

Pakënaqësitë brenda opozitës për LSI-në, ja ç'thotë Dashamir Shehi

Më: 10 janar 2018 Në ora: 10:02
Dashamir Shehi

Aleatët e kryetarit të PD, Lulzim Bashës, ndajnë qëndrime të ndryshme lidhur me vendin që LSI ka në opozitë dhe koalicionin e së djathtës. Kreu i LZHK-­së, Dashamir Shehi, thekson se koalicioni opozitar i së djathtës, ndryshe nga LSI, nuk është në opozitë sepse nuk është në qeveri, por sepse përballë së majtës do të jetë gjithmonë opozitë. “Ne, ndryshe nga LSI, nuk hyjmë me PS­-në në qeveri dhe ky është një ndryshim i madh. Ne nuk jemi në opozitë kur nuk jemi në qeveri, ne jemi gjithmonë në opozitë kur përballë kemi të majtën. Këtu bëhet dallimi mes së majtës dhe së djathtës, jo dy ndërmarrjeve”, sqaron Shehi, i kontaktuar nga Panorama.

Ndërkohë, për kreun e PAA­së, Agron Duka, prezenca e LSI-­së në koalicionin opozitar nuk duhet parë si një pengesë, por si një kontribut për të arritur qëllimin, që është largimi i qeverisë. “Mua personalisht nuk më shqetëson prezenca e LSI-­së në koalicionin opozitar. Për ne, sa më shumë individë dhe forca politike të na bashkohen, aq më mirë është për realizimin e qëllimit tonë, që është largimi i kësaj qeverie. Interesi ynë politik është largimi i qeverisë dhe çdo faktor që na mundëson arritjen e këtij qëllimi, është i dobishëm”, thekson Duka. 

TAKIMI

Dy ditë më parë, në një takim që kreu i PD­së, Lulzim Basha, zhvilloi me aleatët e tij të së djathtës, është njohur me disa kërkesa të tyre lidhur me avancimin e Reformës Zgjedhore dhe rolin që po mban LSI. Sipas burimeve, kryetarët e partive aleate të PD-­së i kanë kujtuar Bashës se LSI ka po aq përgjegjësi sa edhe PS për keqqeverisjen e vendit pasi disa muaj më parë ishte në qeveri me ta. Bashës i është sugjeruar që të mos e shohë LSI-­në si një aleat potencial edhe për zgjedhje, pasi një koalicion i tillë nuk do ta rriste të djathtën as në sytë e qytetarëve shqiptarë. Mësohet se kreu i PD­-së, Basha, ka sqaruar në takim se aleanca me LSI­në është e qartë dhe ajo lidhet me largimin e Edi Ramës. Basha ka theksuar se për arritjen e këtij qëllimi, PD është e hapur të bashkëpunojë me çdo forcë politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat