Dështon “suksesshëm” reforma territoriale në Shqipëri

Shqipëria

Dështon “suksesshëm” reforma territoriale në Shqipëri

Më: 11 janar 2018 Në ora: 09:05
Ilustrim

Tre vite nga nisja e zbatimit, Reforma Territoriale ka humbur funksionin e saj për të kursyer shpenzimet e personelit.

Të dhënat për ecurinë e buxheteve bashkiake, publikuar nga financatvendore.al, tregojnë se shpenzimet për personelin arritën në fund të nëntëmujorit 2017 në 14.6 miliardë lekë më shumë se sa dyfishi i vitit 2010.

Ministria e Financave në relacionin e buxhetit 2018 referon se këto shpenzime u rriten për shkak të transferimit të disa funksioneve, në arsim, bujqësi dhe mirëmbajtjen e rrugëve rurale pushteti lokal.

Duke sqaruar këtë pjesë ministria e Financave bën me dije se, se gjatë viteve 2016-2017 për shkak të funksioneve të transferuara buxheti i bashkive është rritur me 7.6 miliardë lekë. Nga kjo shumë rreth 500 milionë lekë kanë shkuar për mirëmbajtjen e rrugëve që tashmë është funksioni i bashkive dhe konsiderohen si investime kapitale. Duke konsideruar se e gjithë pjesa e mbetur prej 7 miliardë lekësh ka shkuar vetëm për rrogat e funksioneve të transferuar, shpenzimet për personelin janë rritur në krahasim me 2010.

Në vitin 2010 kur ishin rreth 370 njësi vendore me gjithë komunat, shpenzimet për personelin ishin 7.3 miliardë lekë për periudhën 9 mujore, ndërsa në të njëjtën periudhe të 2017, duke zbritur fondin e funksioneve të transferuara ( 14.6 mld lekë -7.1 mld lekë =7.5 mld lekë) shikohet se shpenzimet e personelit të vjetër bashkiak janë në rritje.

Gjithashtu pesha e shpenzimeve për personelin vendor në raport me totalin e shpenzimeve ka ardhur me rritje te ndjeshme pas reformës territoriale, nga 18% në vitin 2010 në gati 25% për 9 mujorin 2017.

Rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative dhe territoriale, rritjes së eficiencës operacionale dhe tkurrjes së kostove administrative.

Shpenzimet kapitale shënuan një kthesë të rëndësishme pozitive gjatë kësaj periudhe, kthesë që mund të jetë nxitur deri diku prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.

Në total bashkitë investuan rreth 20.4 miliard lekë, rreth 2.4 herë më të larta krahasuar me nivelin e regjistruar një vit më parë, sipas të dhënave nga portali i financave vendore. Fokusi kryesor i shpenzimeve kapitale të financuara nga të dy nivelet e qeverisjes mbetet infrastruktura e transportit, strehimi, urbanistika dhe ujësjellës-kanalizimet. Luhatjet e forta në nivelin e investimeve varen nga një mori faktorësh përfshirë këtu transfertat nga ministritë e linjës dhe nga FZHR, por edhe nga kuadri ligjor për prokurimin publik i cili kërkon ndjekjen e disa proceseve të cilat mund të kërkojnë një periudhë kohe edhe më të gjatë se 3-4 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat