Skena shqiptare në zi, ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh Rexhep Çeliku

Shqipëria

Skena shqiptare në zi, ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh Rexhep Çeliku

Më: 12 janar 2018 Në ora: 07:57
Rexhep Çeliku

Ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në moshën 63-vjeçare mjeshtri i njohur i valles shqiptare Rexhep Çeliku.

Çeliku, i cili ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve, mbylli sytë rreth orës 02:30 të mëngjesit pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë.

Vetëm katër ditë më parë ai pati edhe shfaqjen e fundit në publik, ku Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordoi zotit Rexhep Çeliku Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Rexhep Çeliku, lindi më 19 korrik 1954 në Tiranë, dhe që nga viti 1976 ishte solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në repertorin e tij artistik ai numëron rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Rexhep Çeliku ishte nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat