Kush janë pronarët që përfitojnë 2.24 milionë euro kompensim

Shqipëria

Kush janë pronarët që përfitojnë 2.24 milionë euro kompensim

Më: 13 janar 2018 Në ora: 07:50
Ilustrim

Kanë filluar procedurat për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme.

Për 20.787 metra katrorë troje të zëna nga ndërtimet pa leje, që tanimë legalizohen, ata do të përfitojnë një vlerë totale kompensimi financiar prej 298.515.449 lekësh, ose 2.24 milionë euro.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njoftoi dje fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr.810, datë 29.12.2017.
Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 18 janar 2018 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë. ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumentave përkatës.

Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm: Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP; dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil; prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet.

Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2.000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme).

Po kështu, kërkohet vërtetim origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar; fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe mandat pagesa, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën dy mijë lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat