Mjedisorët, kundër urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta - Bota Sot
Mjedisorët, kundër urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta

Shqipëria

E mërkurë, 17 tetor 2018

Mjedisorët, kundër urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta

Më: 13 janar 2018 Në ora: 16:32
Pamje nga ngjarja

Një grup organizatash mjedisore nga Shqipëria dhe rajoni, bashkuan zërin me aktivistët në një forum mjedisor i cili i bëri apel qeverisë që parku kombëtar Divjakë-Karavasta të qëndrojë zonë natyrore

Komuniteti shkencor dhe shoqëria civile në Tiranë organizuan të hënën forumin e tretë në mbrojtje të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, i cili kërcënohet nga planet për urbanizim përmes një resorti turistik që do të prekë një pjesë të madhe të zonës së mbrojtur nga ligji shqiptar dhe konventat ndërkombëtare. Forumi “Nevoja për Veprime Sinergjike në Mbrojtjen e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta nga Urbanizimi” bëri bashkë mjedisorë nga Shqipëria dhe rajoni, si dhe profesorë e aktivistë të angazhuar, të cilët i bënë thirrje qeverisë shqiptare të kundërshtojë propozimet për urbanizim nga kompania Mabetex për ta lënë parkun kombëtar në gjendje natyrore. Koalicioni mjedisor, që përbëhet nga grupimi i organizatave AOS, EcoAlbania, Lex Ferenda dhe PSEDA Iliria argumentoi se plani i urbanizimit të Mabetex me 2400 apartamente dhe facilitete të tjera do të shkatërronte zonat dhe habitatet kritike për qindra-mijëra shpendët të cilët folezojnë në Divjakë-Karavasta.

“Divjaka gjatë këtyre viteve ka arritur të jetë një zonjë tërheqëse për turistët përmes vëzhgimit të shpendëve. Më parë as që bëhej fjalë të kishte vizitorë veç aktiviteteve ilegale,” tha Sajmir Hoxha, nga organizata mjedisore Noe Conservation. “Numri i vizitorëve është tashmë në rritje dhe ne duam të promovojmë turizmin pa dëmtuar habitatin. Ky plan urbanizimi është shkatërrimtar dhe do të zhdukë vlerat natyrore,” tha Hoxha. Orintologu Taulant Bino u shpreh se koalicioni mjedisor është i vendosur të kundërshtojë deri në fund planet për megaresortin dhe çdo plan urbanizimi të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Sipas Binos, koha 15-vjeçare e ndërtimeve në park do të shkatërrojë plotësisht biodiversitetin dhe ndryshe nga besimi fillestar i komunitetit se megaresorti do t’i sjellë përfitime, ai do të jetë një dëm i pashlyeshëm si për shpendët dhe për njeriun.

“Jemi të vendosur të ndjekim të gjitha hallkat e ankimimit kombëtar dhe ndërkombëtar,” tha Bino, duke iu referuar projektit zhvillimor i cili nuk është miratuar ende nga qeveria. Po ashtu, organizatat mjedisore vërejnë se plani shkel ligjin 8906/2002 “Për Zonat e Mbrojtura”, që ndalon ndërtimin në park kombëtar, si dhe Konventën e Bern, Konventën Ramsar, Rrjetin Emerald  dhe parimet e mbrojtjes së natyrës nga Bashkimi Europian (Natura 2000). Specialistët thonë se urbanizimi i Divjakë-Karavasta do të pakësonte ndjeshëm popullatën e 250 speciesh shpendësh dhe dhjetëra specie gjitarësh, zvarranikësh dhe peshqish dhe pasojat e dëmtimit të parkut kombëtar në Shqipëri do të zgjateshin në biodiversitetin europian. Forumit iu bashkua edhe Catherine Bohne, një aktiviste e zëshme e fushatës kundër HEC-eve në Valbonë, e cila ndau me aktivistët e tjerë përpjekjet e komunitetit të Tropojës për të shpëtuar luginën e Valbonës nga shkatërrimi i hidrocentraleve. “Duhet të mblidhemi dhe të protestojmë… Njerëzit duhet ta kuptojnë që një park kombëtar është pronë e jona dhe e askujt tjetër”, tha Bohne duke shtuar se pavarësisht kërcënimeve aktivistët nuk duhet të tremben. Përgjatë Ballkanit, mjedisorët bien dakord se kanë sfida të ngjashme me zona natyrore të një rëndësie të lartë, të cilat shpesh politika i sakrifikon për përfitimet e veta ose një grupi të vogël biznesmenësh.

“Prej disa vitesh tashmë ende po luftojmë për të shpëtuar Salinën, kriporen unike të Malit të Zi nga planet ndërtimore të kryeministrit Djukanoviç,” tha Jovana Januseviç, nga Qendra për Mbrojtje dhe Studime për Shpendët CZIP në Malin e Zi. “Mos e humbni shpresën, edhe për ju beteja sapo ka filluar”, inkurajoi Januseviç aktivistët shqiptarë. Aktualisht, Shqipëria po përballet me tre pika të nxehta të dëmit natyror. Parku kombëtar i luginës së Valbonës është i rrezikuar nga ndërtimi i hidrocentraleve, të cilat banorët pretendojnë se kanë marrë leje pa u konsultuar me ta dhe se dëmtojnë planet afatgjata të tyre për turizëm. Ata e çuan çështjen e tyre në gjykatë, por Gjykata e Rrethit në Tiranë e hodhi poshtë padinë e tyre duke lejuar vazhdimin e punimeve. Lumi i fundit i egër i Europës, Vjosa, kërcënohet gjithashtu nga planet e hidrocentraleve, prej të cilave qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë pavarësisht thirrjeve nga aktivistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ata e kanë cilësuar zonën me rëndësi të veçantë për biodiversitetin, por edhe një pikë të rëndësishme turizmi. Një investigim i BIRN zbuloi se investimet ‘strategjike’ kërcënojnë lagunën e Karavastasë dhe Nartës, zona të pasura dhe të rëndësishme për biodiversitetin.

“Divjakë-Karavasta”, zonë e mbrojtur

Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 1964. Ai zë një sipërfaqe prej më shumë se 22 mijë hektarësh dhe përbën një ekosistem unik, i përbërë nga laguna, duna ranore dhe pyje bregdetare me florë dhe faunë të pasur. Në këtë zonë ndodhen pyje me pisha 400-vjeçare, të cilat shërbejnë si një zonë qendrimi për miliona shpendë shtegtarë. Në jug të lagunës së Karavastasë shtrihet laguna e Nartës,  e cila është një nga më të mëdhatë në Shqipëri, me një sipërfaqe prej gati 20 mijë hektarë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Narta është laguna e dytë në vend pas Karavastasë për nga rëndësia për shpendët e ujit, ndërsa përreth lagunës gjendet një florë dhe faunë e pasur tipike e ligatinave mesdhetare. Prej vitit 2004, kjo lagunë gëzon statusin e ‘peisazhit të mbrojtur.” Projekti i kompanisë “Mabetex” në Divjakë përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve, rreth 370 vilave si dhe objekte ndihmëse si një fushë golfi me 12 vrima e pista për ulje-ngritjen e helikopterëve.  Ndërkohë në Nartë, kompania BFI invest ka shprehur interesin për të ndërtuar një resort turistik dhe SPA me 1,2,3 dhe 4 kate dhe 1 kat nëntokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test