Gjoba ndaj gazetares së TVSH-së, reagon ashpër Albana Vokshi - Bota Sot
Gjoba ndaj gazetares së TVSH-së, reagon ashpër Albana Vokshi

Shqipëria

E premte, 19 janar 2018

Gjoba ndaj gazetares së TVSH-së, reagon ashpër Albana Vokshi

Më: 13 janar 2018 Në ora: 20:42
Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, Albana Vokshi

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, Albana Vokshi reagoi ndaj gjobitjes së rëndë të gazetares Anduena Llabani pasi ajo shkrehu mendimin e saj në një studio televizive.

Sipas Vokshit, kjo është një hakmarrje e drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, pasi asnjë ligj apo kontratë smund të ndalojë gazetaren të shprehë mendimin e lirë dhe se kontrata e ndalon vetëm të punojë për media të tjera.

Vokshi e vlerësoi këtë si një ngjarje të rëndë për lirinë e medias dhe kërkoi nga të gjitha organizmat të ngrihen në mbrojtjen e lirisë së gazetarëve përkundrejt interesave, siç thotë ajo, të Edi Ramës e vëllait të tij Olsi Rama që kërkojnë të shantazojnë apo blejnë median.

Reagimi i plotë

STOP DHUNËS DHE SHANTAZHEVE NDAJ GAZETARËVE!!

GAZETARËT, QYTETARËT DHE NDËRKOMBËTARËT TË REAGOJNË!!

Në dt. 11 janar 2018, Anduena Llabani (Jaupi), gazetare e Radio Televizonit publik Shqiptar, gjatë një interviste në një media private, kritikoi qeverine për trafikun e drogës dhe zbuloi faktin se në hetimet e dosjes së Xibrakës ka dalë edhe emri i Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit Edi Rama.

Në hakmarrje ndaj saj, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, e ka gjobitur gazetaren Jaupi duke marrë masë disiplinore ndaj saj, me pretekstin se ka shkelur kontratën e punës duke dhënë intervistë për një media tjetër. Edhe pse kontrata ndalon vetëm punën me pagesë për televizione të tjera. Me shumë gjasa, ky është vetëm hapi i parë drejt pushimit nga puna të gazetares.

Thoma Gëllci, njihet nga të gjithë si mik i afrët i Olsi Ramës dhe shërbëtor i bindur i familjes kryeminsitrore. Madje ka qenë vëllai I Kryeministrit që e ka emëruar atë të postin e Drejtorit të RTSH. Nën drejtimin e tij, Radio dhe Televizioni Publik, që mbahen me paratë që paguajnë direkt shqiptarët për to, është kthyer në një makinë propagande dhe keqinformi me mbulimin e skandaleve dhe lidhjes së qeverisë me krimin. Gazetarët e tij censurohen, shantazhohen dhe madje dënohen siç është rasti i fundit nëse guxojnë të thonë të vërtetën apo të japing mendime të lira.

Dhuna dhe propaganda janë dy funksionet kryesore të çdo regjimi autokratik. Për koloninë e “ushtarëve të propogandës” që komentojnë e telefonojnë nga bodrumet e kryeministrisë për të bllokuar lajmet dhe për të gjobitur, kërcënuar, shantazhuar e pushuar nga puna gazetarët kritikë me qeverinë, shpenzohen miliona nga paratë publike.

Në cilësinë e Kryetares së Komisionit Parlamentar të Medias unë i bëj thirrje Drejtorit Gëllçi të anullojë dënimin e tij antiligjor e të ndalë kërcënimet nga gazetarëve.

Ju bëj thirrje njëkohësisht, të gjithë gazetarëve dhe qytetarëve të reagojnë dhe të jenë bashkë për të mos lejuar Kryeministrin dhe ushtarët e tij politikë të pushtojnë inatitucionet mediatike.

Bashkimi Europian e ka bërë të qartë që "Liria e medias është një vlerë thelbësore e BE-së dhe kusht i panegociueshëm për çdo vend që aplikon për t’u bërë shtet anëtar apo për çdo vend kandidat në rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Europian‎".

Ndaj i bëj thirrje delegacionit të BE në Tiranë dhe organizmave të tjerë ndërkombëtare, të reagojnë ndaj presionit të vazhueshëm, gjuhës fyese dhe kërcënimëvë të Kryeministrit ndaj mediave, gazetarëve dhe intelektualëve publikë.‎

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test