Gasjellësi TAP, ç’përfitime po u sjell banorëve të zonave ku po shtrihet - Bota Sot
Gasjellësi TAP, ç’përfitime po u sjell banorëve të zonave ku po shtrihet

Shqipëria

E mërkurë, 17 tetor 2018

Gasjellësi TAP, ç’përfitime po u sjell banorëve të zonave ku po shtrihet

Më: 14 janar 2018 Në ora: 10:08
Ilustrim

Punimet për gazsjellësin TAP, projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë totale 1.5 miliardë euro, do të vijojnë edhe këtë vit me intensitetin e 2017-s. Ulrike Andreas – Drejtoreshë për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, në një intervistë të parë për mediat, pohon se punimet për instalimet mbi sipërfaqe (stacioni i kompresorëve, stacioni matës dhe stacionet e valvulave të bllokimit) dhe segmentin tokësor të tubacionit do të vijojnë.

Këtë vit, punimet për ndërtimin e gazsjellësit do të zhvendosen nga pika më e lartë në Skrapar, 1,800 m mbi nivelin e detit, në thellësinë e detit Adriatik. Në vitin 2020, gazi i parë nga deti Kaspik (nga fusha gazmbajtëse e Shah Denizit) të transportohet drejt Europës, shkruan Monitor.

Por, me mbarimin e punimeve, nuk mbarojnë mundësitë për Shqipërinë. Znj. Andreas thotë se TAP është një mundësi për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të rritur prodhimin industrial në Shqipëri, duke ulur kostot e energjisë dhe duke mbështetur biznesin vendas.

Sa është vlera e investimit të TAP-it?

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është investimi i huaj direkt më i madh në Shqipëri, me vlerë prej rreth 1.5 miliardë eurosh. Ne presim që zbatimi me sukses i projektit tonë të nxisë investitorë të tjerë të huaj të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Punimet për ndërtimin e segmentit shqiptar të TAP, 215 km i gjatë, kanë vijuar me intensitet të lartë gjatë 2017-s dhe po me të njëjtat ritme do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2018.

Ndërtimi i gazsjellësit është vetëm një pjesë e investimit të TAP-it në Shqipëri. Përveç ndërtimit të tubacionit, TAP-i ka krijuar marrëdhënie shumë të ngushta me komunitetet përgjatë gjurmës së projektit.

Përmes Investimeve tona Sociale dhe Mjedisore (ISM), ne synojmë të përmirësojmë jetesën dhe cilësinë e tyre të jetës. TAP po investon në projekte sociale dhe mjedisore më shumë se 14 milionë euro. Gjatë vitit 2017, TAP-i ka investuar për rikonstruksionin e plotë të disa shkollave, duke i krijuar kushte mësimi moderne dhe duke rritur standardet e sigurisë për më shumë se 1,300 nxënës në Bilisht, Strum dhe Grecalli.

Më duhet të pranoj se përurimi i shkollës “Thanas Ikonomi” në tetor të vitit 2017, ishte një nga momentet më të bukura të karrierës sime. Të shihje gëzimin që kjo shkollë moderne u solli qindra fëmijëve na bën me të vërtetë krenarë që jemi pjesë e së ardhmes së Shqipërisë.

Siguria është përparësia numër një për TAP dhe për ta përcjellë më gjerë këtë mesazh, ne kemi zhvilluar programe informuese dhe ndërgjegjësuese në shkolla dhe komunitete. Trajnimet tona janë ndjekur nga më shumë se 8,000 persona, 7,000 prej të cilëve ishin nxënës. Shpresojmë shumë që këto nisma të rrisin sigurinë në rrugë dhe kudo në Shqipëri.

TAP ka investuar edhe në infrastruktura që promovojnë zhvillimin e turizmit, siç janë platformat panoramike mbi kanionin e lumit Osum.

Për më tepër, TAP-i ka mbështetur një sërë komunitetesh që janë përballur me situata emergjence natyrore. Në janar të vitit 2017, TAP ndihmoi me paketa ushqimore rreth 1,300 familje për t’u përballur me kushtet e vështira të dimrit. Në gusht, dhuruam uniforma dhe fikës zjarri për Shërbimin e Emergjencave Civile. Në fund të vitit 2017, ndihmuam fermerët e prekur nga përmbytjet në Fier dhe pastruam e thelluam shtratin e lumit Osum për të shmangur përmbytjet në të ardhmen.

Ne jemi në bisedime të vazhdueshme me komunitetet vendore dhe të gjitha nivelet e qeverisjes që Investimet Sociale dhe Mjedisore, për të cilat është rënë dakord bashkërisht, të ndihmojnë në zhvillimin e komuniteteve. Kam kënaqësinë të konfirmoj se edhe më shumë projekte sociale dhe mjedisore do të zbatohen gjatë vitit 2018, përfshirë edhe një raund tjetër praktikash profesionale për studentët e talentuar.

Cila ishte ecuria e ndërtimit në Shqipëri në vitin 2017 dhe cilat janë planet për vitin 2018?

Punimet e ndërtimit gjatë vitit 2017 për segmentin tokësor në Shqipëri vijuan në përputhje me afatet tona kohore. Punimet në rajonet e Fierit dhe Korçës pothuajse kanë përfunduar dhe shumica e veprimtarisë tashmë po zhvillohet në rajonet e Beratit dhe Skraparit. Në Shqipëri, deri në dhjetor të vitit 2017, më shumë se 77% e korridorit të kalimit, gjurmës së TAP, është pastruar dhe niveluar; 72% e tubave janë salduar dhe 62% e tubacionit është ulur poshtë në kanal.

Kthimi i tokës në gjendje fillestare është gjithashtu shumë i rëndësishëm për ne. Në Shqipëri, më shumë se gjysma korridorit të kalimit, 116 km, është kthyer në gjendjen fillestare dhe fermerët po e përdorin përsëri tokën. Për më tepër, TAP ka përmirësuar të dhënat kadastrale në zonat përgjatë gjurmës së projektit, duke ndihmuar më shumë se 12,000 familje në marrjen e certifikatave të pronësisë.

Një arritje tjetër e rëndësishme gjatë vitit 2017 ishte fillimi i punimeve për stacionin e kompresorëve në Fier, stacionin matës në Bilisht dhe stacionet e valvulave të bllokimit.

Përpara se të kaloj tek veprimtaritë për vitin 2018, dëshiroj të theksoj edhe dy arritje të rëndësishme të vitit të shkuar. Së pari, të gjithë tubat, 13,000 të tillë, që do të përdoren për segmentin tokësor në Shqipëri, kanë mbërritur në Portin e Durrësit dhe janë magazinuar në sheshin kryesor të magazinimit. Thuajse i gjithë aktiviteti i TAP në vend është kryer nga nënkontraktorë vendas dhe ne jemi shumë krenarë që nuk është shënuar asnjë incident.

Së dyti, kemi vijuar punimet për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore. Faza e dytë e përmirësimit të rrugëve ndihmëse, prej rreth 134 km rrugë, është rreth 75% e përfunduar. Ky është një projekt tjetër i rëndësishëm që do të sjellë përfitime për komunitetet për dekadat në vijim.

Për sa i përket vitit 2018, punimet për instalimet mbi sipërfaqe (stacioni i kompresorëve, stacioni matës dhe stacionet e valvulave të bllokimit) dhe segmentin tokësor të tubacionit do të vijojnë.

Këtë vit, punimet për ndërtimin e gazsjellësit do të zhvendosen nga pika më e lartë në Skrapar, 1,800 m mbi nivelin e detit, në thellësinë e detit Adriatik. Segmenti detar i gazsjellësit në detin Adriatik është i gjatë 105 km dhe përgatitjet për punimet fillojnë që këtë vit në Shqipëri. Shtrimi fizik i tubacionit në shtratin e detit Adriatik pritet të nisë në vitin 2019. Paralelisht me ndërtimin e gazsjellësit, gjatë vitit 2018 do të nisin përgatitjet për fazën operacionale të TAP, duke u siguruar që klientëve do t’u ofrohen shërbimet më të mira.

Në vitin 2019, kur punimet të kenë përfunduar, tubacioni do të provohet dhe testohet në mënyrë që në vitin 2020, gazi i parë nga deti Kaspik (nga fusha gazmbajtëse e Shah Denizit) të transportohet drejt Europë. Pra e thënë ndryshe, kemi shumë punë përpara nesh.

Kur do t’i nisë operacionet TAP-i dhe cili do të jetë kontributi i tij në ekonominë shqiptare?

TAP-i është investimi i huaj direkt më i madh në Shqipëri dhe ka rëndësi strategjike për Europën Juglindore, veçanërisht për Shqipërinë. TAP e vendos Shqipërinë në hartën energjetike dhe, siç theksoi dhe FMN-ja, TAP është një mundësi për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të rritur prodhimin industrial në Shqipëri, duke ulur kostot e energjisë dhe duke mbështetur biznesin vendas.

TAP-i do të nxisë investime të tjera të huaja në vend, ndërkohë që promovon stabilitet.

TAP-i do të ndihmojë zhvillimin e infrastrukturës energjetike në Shqipëri dhe aktualisht po punon me institucionet shqiptare, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financës dhe Albgaz-in për të përgatitur zhvillimin e tregut shqiptar të gazit, sipas Master Planit të Gazit. Gjithashtu, TAP mund të lehtësojë arritjen e synimit të Qeverisë për ta kthyer vendin në një nyje të rëndësishme në Europën Juglindore për shpërndarjen e gazit.

TAP-i do të kontribuojë drejtpërdrejt në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë përmes miliona eurove tatime që do të paguhen gjatë viteve të veprimtarisë. Për më tepër, shumë biznese vendase po ofrojnë shërbimet e tyre si kontraktorë apo nënkontraktorë dhe shumë individë janë punësuar gjatë ndërtimit të TAP. Sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2017, në Shqipëri janë punësuar drejtpërdrejt nga TAP, kontraktorët dhe nënkontraktorët tanë më shumë se 2,300 persona.

Rreth 84% e këtyre individëve janë të punësuar vendas. Në një këndvështrim tjetër, një kontribut tjetër i rëndësishëm i projektit është dekarbonizimi. TAP do të mundësojë përdorimin e një burimi energjie më të pastër, duke ndihmuar kështu në uljen e shkarkimeve të karbonit dhe mbrojtjen e mjedisit. Gazi natyror i transportuar dhe mundësuar nga TAP mund të kontribuojë në dekarbonizimin e ekonomive. Përveç Shqipërisë, në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, sektori i energjisë është tejet i varur nga përdorimi i hidrokarbureve fosile për prodhimin e energjisë. Kërkesat për gaz pritet të rriten me uljen graduale të përdorimit të burimit të qymyrit dhe drurit.

Infrastruktura energjetike

TAP-i do të ndihmojë zhvillimin e infrastrukturës energjetike në Shqipëri dhe aktualisht po punon me institucionet shqiptare, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financës dhe Albgaz-in për të përgatitur zhvillimin e tregut shqiptar të gazit, sipas Master Planit të Gazit

A keni një marrëveshje me Qeverinë Shqiptare lidhur me sasinë e gazit që mund t’i nevojitet vendit në të ardhmen?

Duke nisur nga viti 2020, TAP do të ofrojnë një rrugë të drejtpërdrejtë dhe me leverdi financiare për transportin e gazit duke shënuar hapjen e Korridorit Jugor të Gazit, me interes strategjik. Kapaciteti fillestar i TAP është 10 miliardë metra kub në vit (bcm/a), por në të ardhmen, me shtimin e burimeve të gazit, TAP mund ta dyfishojë kapacitetin deri në 20 bcm/a. Është e rëndësishme të kujtojmë që TAP nuk e zotëron gazin, ne po ndërtojmë infrastrukturën strategjike për transportin e tij. Kështu që, sjellja e gazit Kaspik në Shqipëri varet nga kërkesa dhe oferta.

Kur të jetë operacional, TAP do të bëjë testime të tregut çdo dy vjet për të ofruar më shumë kapacitete (deri në një total prej 20 bcm/a, në të ardhmen).

Këto studime tregu do të ndërmerren në përputhje me udhëzimet e miratuara nga Autoritetet Rregullatore Kombëtare të Greqisë, Shqipërisë, Italisë dhe BE-së. Të gjitha palët e interesuara mund të paraqesin ofertat e tyre në përputhje me rregullat e përcaktuara në këto udhëzime.

Kur të ketë përfunduar Master Plani i Gazit, Qeveria Shqiptare do të ketë një ide më të qartë rreth nevojave të vendit, në këtë mënyrë ajo dhe Albgaz do të mund të bëjnë negociata me ofruesit e gazit.

TAP mbetet i angazhuar të kontribuojë për Master Planin e Gazit përmes ekspertizës teknike, si dhe do të mundësojë pikë dalje për gazin në Shqipëri. Kështu, TAP do të vijojë të monitorojë këtë proces dhe do të ofrojë mbështetjen e tij për shtetin shqiptar, kurdo të jetë e nevojshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test