Grabitja në Tiranë, Posta Shqiptare mohon: Nuk jemi vjedhur ne, por një bankë

Shqipëria

Grabitja në Tiranë, Posta Shqiptare mohon: Nuk jemi vjedhur ne, por një bankë

Më: 15 janar 2018 Në ora: 17:37
Ilustrim

Grabitja e sotme në zonën e Hipotekës së Tiranës ka sjellë jo pak konfuzion edhe në media pasi policia e shtetit në njoftimin e saj paraprak ka raportuar se vjedhja me armë e kësaj mesdite është kryer në ambientet e një dege të Postës Shqiptare, e ndodhur në brendësi të institucionit të Hipotekës.

Pnëpërmjet një reagimi zyrtar, Posta Shqiptare deklaron se ky informacion është i gabuar pasi ky filial nuk është grabitur. Posta në reagim shkruan se është vjedhur një bankë e nivelit të dytë.

Për më tepër lexoni reagimin e Postës Shqiptare:

Posta Shqiptare Sh.A, u njoh me lajmin e publikuar në disa media, në të cilin pretendohej “Grabitja e Zyrës Postare të atashuar në ambientet e Hipotekës, Tiranë”, për të cilin sqarojmë dhe saktësojmë:

Posta Shqiptare Sh.A u informua në lidhje me një grabitje që ka ndodhur në një Bankë të Nivelit të Dytë, në ambientet e sporteleve të zyrave të pritjes të Hipotekës, Tiranë.

Sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, Sigurimi Postar dhe Policia e Shtetit, fatmirësisht rezulton se nuk ka patur dëmtime fizike në njerëz, dhe saktëson se kjo grabitje nuk ka ndodhur në Zyrën e Shërbimit Postar që operon në ambientet e brendshme të Hipotekës.

Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje, Posta Shqiptare dëshiron të informoj dhe të sigurojë të gjithë qytetarët që shërbimi nëpër sportelet e Postës Shqiptare vazhdon normalisht, duke garantuar siguri dhe cilësi maksimale

Informacion paraprak i policisë

Sot rreth orës 14:05, në Sallën Operative një telefonatë njoftoi se në rrugën "Panorama", në Tiranë, një shtetas ka vjedhur një shumë parash.

 Në vendngjarje shkuan disa shërbime policore. Nga veprimet paraprake rezulton se brenda ambjenteve të zyrave të Hipotekës, në filialin e Postës Shqiptare, një person me kapuç, dyshohet nën kërcënimin e armës, ka vjedhur një shumë ende të papërcaktuar lekësh.

Specialistët kundër krimeve kanë kryer veprimet e para hetimore dhe po punojnë intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat