Nis seanca e parë parlamentare për këtë sesion, çfarë pritet të ndodh

Shqipëria

Nis seanca e parë parlamentare për këtë sesion, çfarë pritet të ndodh

Më: 15 janar 2018 Në ora: 17:40
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi do të çelë sot pasdite punimet e sesionit të dytë parlamentar ku priten debate nga opozita të mbartura që nga seanca e fundit parlamentare e 2017-ës, kur u zgjodh kryeprokurorja Arta Marku. 

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Kuvendit bëhet e ditur se “në mbështetje të nenit 74, pika 1 të Kushtetutës dhe nenit 42, pika 1 të Rregullores së Kuvendit ditën e hënë me datë 15 janar 2018, në orën 17:00, Kuvendi do të çelë punimet e sesionit të dytë parlamentar sipas rendit të ditës të përcaktuar nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi”.

Tre ditë më parë në konferencën e Kryetarëve Partia Demokratike kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi me pretendimin se ka konsumuar shkeljen e Kushtetutës me zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurores Arta Marku seancën e 18 dhjetorit 2017.

Të njëjtën kërkesë demokratët pritet ta rikthejnë edhe gjatë seancës së sotme, ndërsa parashikohen debate të forta jo vetëm për mënyrën e zgjedhjes së Arta Markut por edhe për akuzat opozitës lidhur me dosjet e nxehta si ajo e Tahirit. 

Për këtë shkak, opozita ka paralajmëruar gjithashtu se do protestojë në 27 janar, ndërsa në lidhje me Kuvendin do ketë raporte të kushtëzuara.

Në punimet të ditë së hënë në rend të ditës janë këto pika:

1. Hapja e Sesionit të II – të të Legjislaturës së IX –të të Kuvendit të Shqipërisë.

2. Miratimi i procesverbalit të seancave plenare, datë 14.12.2017 dhe 18.12.2017 (neni 44, pika 2 e Rregullores)

3. Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend (neni 44, pika 3 e Rregullores)

4. Miratimi i Programit të Punës së Kuvendit për periudhën 15 janar – 23 shkurt 2018. (neni 26, pikat 5, 6 të Rregullores, votim me shumicë të thjeshtë)

5. Miratimi i Kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 15 janar – 2 shkurt 2018. (neni 27, pikat 3, 4 të Rregullores, votim me shumicë të thjeshtë)

6. Paraqitja në Kuvend e kalendarit të raporteve vjetore të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj për veprimtarinë e vitit 2017. (neni 103, pika 1 e Rregullores)

Fjala e Gramoz Ruçit:

“Pavarësisht nga polarizimi, grupimet politike miratuan organet e Vettingut ngritjen e komisionit për Reformën Elektorale dhe vendime të tjerë të rëndësishëm. Këtë sesion do të marrim shumë vendime, por para së gjithash do të nisë me disa cështje thelbësore; miratimi i anëtarëve të KLGJ, KLP, miratimin e kryeinspektorit të lartë të drejtësisë, ndryshimet ligjore për 5 vendimet e Kushtetueses, rregulloren e Kuvendit, Reformën Elektorale dhe Kodin e Etikës. Jo vetëm që kërkojnë 2/3 për miratimin, por do të jenë kontribut për hapjen e negociatave. Kërkoj që të gjitha grupet të japin kontributin për miratimin” deklaroi ai.

Petrit Vasili: Drejtësia e re ra, humbëm besimin te ndërkombëtarët

Por kryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili tha se Reforma në Drejtësi ka rënë. Ai si shembull të fundit mori rastin kur Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka kualifikuar dhe ka marrë nga lista e zezë e OMN-së, për ti futur si kandidatë kalues për KLP dy emra.

“U dhunua në mënyrë flagrante nga garda. Salla e parlamentit në vend që të kthehej në kultin e zbatimit të ligjit, e abuzoi për shkak të frikës nga disa procese të dhimbshme nga krahu i shumicës duke dhunuar reformën në drejtësi. Sot cdo ulërimë për reformën ka rënë.

Zgjodhët një kryeprokuror pa Vetting, nuk na duhet integriteti i tij. Ne zgjodhëm edhe ndërkombëtarët dhe ONM për garanci, por sot opinionet e tij hidhen poshtë edhe nga një copë sekretar i përgjithshëm, kjo është një ngjarje e zezë.

Te ONM vendosëm besim të madh, por ka rënë, është më pak se një sekretar i përgjithshëm. E di më mirë sekretari se ku ONM duhet të ecë dhe ku duhet dëgjuar dhe ku jo” deklaroi ai.

Fatmir Mediu: Kërkoj që shumica të reflektojë
Kryetari i PR, Mediu dënoi edhe njëherë ngjarjet e dhjetorit, ndërsa kërkoi respektimin e ligjit dhe vendimeve të institucioneve.

“Aktet e dhjetorit janë të papranueshme dhe kërkojnë reflektim nga ne. Kryeprokurorja e re u zgjodh në mënyrë të paligjshme. Vendimet e këtij sesioni përcaktojnë të ardhmen evropiane. Duhet të punojmë që të krijojmë kushtet për shqiptarët, jo për të kënaqur Brukselin.

Uroj dhe besoj dhe shpresoj që jemi në një moment reflektimi dhe le ta fillojmë duke korrigjuar padrejtësitë që u bënë ndaj institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm” deklaroi ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat