Qeveria dhe opozita po ashpërsojnë retorikën politike

Shqipëria

Qeveria dhe opozita po ashpërsojnë retorikën politike

Më: 15 janar 2018 Në ora: 18:38
PD

Partia Demokratike e opozitës ka nisur një tur tubimesh në degët e rretheve, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e njoftuar për në fund të janarit.

Pas një tubimi në qytetin bregdetar të Vlorës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot në Vorë se qeveria nuk ka si përparësi të zgjidhë problemet e qytetarëve, por kujdeset vetëm të mbrojë njerëzit e krimit, me të cilët mban lidhje.

Ai tha se shqiptarët duhet të imponojnë me protesta largimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie antimafia, e cila të kryejë reformën zgjedhore, të ndajë drejtësinë nga krimi dhe do të kthejë lirinë e votës.

“Kjo është vendosmëria e demokratëve. T’u japë shqiptarëve një qeveri e cila paratë nuk i çon tek oligarkët por i çon tek qytetarët. Çmimi energjisë, çmimi i naftës, çmimi i ujit, çmimi i ushqimeve bazë janë shqetësime themelore të njerëzve. Papunësia, varfëria, mungesa e shpresës janë pasojat e drejtpërdrejta të këtyre mënxyrave që janë dhurata dhe prodhimi i vetëm i Edi Ramës për popullin. Sundimi i Edi Ramës dhe bandës së tij në Shqipëri kanë marrë fund dhe janë të papranueshëm”- u shpreh Basha.

Zoti Basha tha se koncensionet e shumta qeveria po ua lëshon klientëve të vet, që ndajnë paratë me pjesëtarët e qeverisë, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë po varfërohen nga dita në ditë.

Por kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë këto akuza. Ashtu si një ditë më parë gjatë tubimit me policinë në Lezhë, edhe sot në tubimin me rininë socialiste, ai tha se reformat janë në rrugën e duhur dhe se ato po e afrojnë vendin me Bashkimin Europian, megjithë pengesat e shumta që, sipas tij, po sjell opozita në këtë proces.

“Ne po e afrojmë Shqipërinë me BE-në, ne po reformojmë drejtësinë. Qeverisja jonë po jep rezultate dhe kjo po acarron politikën e vjetër të opozitës” - tha zoti Rama.

Dy forcat politike kryesore në Tiranë e kanë shtuar ditrët e fundit retorikën e tyre politike mbi temat kryesore që shqetësojnë vendin dhe kundër njëra tjetrës.

Parlamenti pritet të nisë nesër procedurat për të plotësuar me anëtarë strukturat e fundit të institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë.

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme u zgjodh në parlament mes protestave të opozitës brenda dhe jashtë sallës plenare.

Tensionet e fundit e shtynë opozitën drejt një proteste të re në fund të janarit, ndërsa SHBA dhe BE po kërkojnë rezultate në luftën konkrete ndaj krimit dhe korrupsionit dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë nga anëtarë që kanë abuzuar me pushtetin

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat