Spitali pa gjinekologë, një grua lindi rrugës teksa dërgohej në Tiranë

Shqipëria

Spitali pa gjinekologë, një grua lindi rrugës teksa dërgohej në Tiranë

Më: 16 janar 2018 Në ora: 12:57
Ilustrim

Pesë mjekë nga QSUT-ja dhe spitali “Koço Gliozheni” në Tiranë, kanë nisur sistemin e patronazhimit pranë spitalit “Xhavit Mara” në Burrel dhe Spitalit Rajonal në Dibër.

Zëvendësdrejtoresha e QSUT-së, duke prezantuar tre mjekët specialistë në spitalin e Peshkopisë, u shpreh se është krijuar një sistem i plotë patronazhimi në të gjithë vendin. Spitali DiberAjo tha se në Dibër është caktuar një kirurg, një anestezist dhe një mjek infeksionist. Sipas Mirela Hasanit, çdo javë, specialistë të këtij rangu do të jenë pranë banorëve të Dibrës. 

Ndërkohë, pas afro gjashtë muajsh në maternitetin e Burrelit është kryer operacioni i parë nga mjekët e spitalit “Koço Gliozheni” të Tiranës, të cilët i janë bashkuar sistemit të patronazhimit në spitalin e Burrelit.

Mjekja obstetër-gjinekologe, Nazmie Ceni, së bashku me mjekun Ervis Vata, kanë realizuar edhe operacionin e parë pas rikthimit të shërbimit në këtë maternitet.
“Sot është dita e dytë e punës sonë këtu në maternitetin e Burrelit. Ekipi paraardhës ka bërë tri lindje spontane. Ne mundësuam një lindje me operacion. Operacioni vajti mirë, ka lindur djalë. Shpresoj të na shkojë mirë puna edhe në të ardhmen dhe lindjeve që do jenë më pas”, u shpreh Nazmie Ceni, mjeke obstetër- gjinekologe.

Muaj më parë, gratë shtatzëna të Matit transportoheshin për të lindur në Lezhë ose Tiranë. Madje, gjatë një udhëtimi, një grua lindi rrugës, në afërsi të Milotit teksa dërgohej në maternitetin e Tiranës. Prej kohësh, ishte dhënë alarmi edhe nga drejtorët e mëparshëm të këtij spitali për mungesën e mjekëve specialistë, kryesisht atyre obstetër-gjinekologë.

Mungesa e tyre kishte vënë në vështirësi qindra gra shtatzëna, të cilat detyroheshin t’i niseshin kryeqytetit e Lezhës jo vetëm për lindje, por edhe për kontrollet rutinore, që kryhen për mbarëvajtjen e shtatzënisë së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat