"Shullazi", Gilmando Dani: Kam tërhequr para nga llogaria e Ylvi Beqjës

Shqipëria

"Shullazi", Gilmando Dani: Kam tërhequr para nga llogaria e Ylvi Beqjës

Më: 16 janar 2018 Në ora: 13:18
Pamje nga gjykata

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dhënë dëshminë e tij Gilmando Dani, i arrestuar si anëtar i grupit të Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtor i tij në kërcënimet ndaj biznesmenëve.

Dani deklaroi para gjykatës se Ylvi Beqjan, biznesmenin që ka bërë kallëzim për gjobëvënie, ia ka prezantuar Emiljano Shullazi në shtëpinë e tij. Sipas Danit, biznesmeni ndihej i kërcënuar nga Zamir Hasa dhe se kishte probleme lidhur me regjistrimin e "Vollgës" në hipotekën e Durrësit.

I arrestuari theksoi se Ylvi Beqaj i kishte kërkuar të bënte tërheqjen e  disa çeqeve në bankë dhe pasi e kishte kryer këtë veprim, paratë ia ka dorëzuar në dorë biznesmenit.

Sipas Danit, me kërkesë të Ylvi Beqjas, çeqe nga banka në vlerë 16 mijë euro kanë tërhequr edhe shtetasit Endri Qyqja dhe Endri Zela por këto para janë përdorur sipas dëshmitarit, për hipotekimin e Vollgës në Durrës.

Në seancën e së martës në gjykatën e krimeve të rënda mungonte Emiljano Shullazi i cili ka qenë i pranishëm në sallë gjatë gjithë procesit.

Gjykata kërkoi deklarime edhe nga personat e tjerë, por tre personat e akuzuar si bashkëpunëtorë të Shullazit nuk dhanë pëlqim për t'u marrë në pyetje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat