Koço Kokëdhima: Bizneset e vogla drejt rrënimit!

Shqipëria

Koço Kokëdhima: Bizneset e vogla drejt rrënimit!

Më: 16 janar 2018 Në ora: 14:53
Koço Kokëdhima

Kreu i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, ka denoncuar edhe një herë sot përmes dëshmive konkrete të qytetarëve rrënimin e biznesit të vogël në Tiranë.

Duke e konsideruar tejet të gabuar planin e qeverisë për uljen e TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, ZGJIDHJA premton se kur të vijë në pushtet do të ndryshojë sërish kufirin e TVSH-së dhe do të ndjekë politika favorizuese për biznesin e vogël dhe mikrondërmarrjet.

Deklarata e plotë

Petriti ka një lokal të vogël në periferi të Tiranës. Punon me të gruan e djalin( pas shkolle). Paguan qiranë dhe detyrime te tjera e fitimet e tyre mujore janë më pak se 100 000 lekë.

Me këto para mbahet e gjithë familja prej 6 pjesëtarësh, djali nxënës, vajza e vogël dhe 2 prindërit e sëmurë.

Nga 1 prilli, kur të hyjë në fuqi ulja e pragut të TVSH-së për qarkullimin vjetor nga 5 në 2 milionë lekë, fitimi i tij pritet të zvogëlohet rreth 30 000. Petriti nuk e ka ende të qartë se çfarë do të ndodhë, pasi procedurat i duken shumë të komplikuara, por 30 mijë lekë më pak në muaj janë shpenzimet për ushqime për familjen. Çmimet nuk i rrit dot, pasi do i largohet edhe ajo pak klientelë që ka. “Shuma prej 70 mijë lekë në muaj për një familje me 6 veta, nga të cilët dy pleq të sëmurë, janë të pamjaftueshme për të jetuar”- thotë ai.

ZGJIDHJA ka qenë këto ditë në kontakt me shumë biznese të vogla në kryeqytet dhe në rrethe të tjera të vendit. Situata është e rëndë. Subjekte që kanë një dyqan të vogël, pensionistë që shesin në një ambient të vogël me qira poshtë pallatit, individë që punojnë gjithë ditën për të ofruar shërbime, në pjesën më të madhe janë në kufijtë e mbijetesës dhe çdo rritje e kostove, sado e vogël që të jetë do të ishte fatale për ta. Shumë nga bizneset e kontaktuara thonë se edhe kështu, me zor ia dalin dhe në pamundësi për të rritur çmimet, falimentimi i tyre do të jetë i sigurt.

ZGJIDHJA e denoncoi që në fillim planin e qeverisë për të ulur kufirin e TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, si të pazbatueshëm, që do të kishte pasoja të rënda për bizneset e vogla dhe që nuk do të luftonte evazionin, përkundrazi do ta rriste atë. Por, qeveria, e nxitur nga bizneset e mëdha që duan të fuqizojnë zinxhirët e supermarketeve, nuk pyeti askënd. Tashmë pasojat duken të pakthyeshme.

ZGJIDHJA në pushtet, do të ndryshojë sërish kufirin e TVSH-së dhe do të ndjekë politika favorizuese për biznesin e vogël dhe mikrondërmarrjet. Ndërsa bizneset e mëdha nuk do të favorizohen në kurriz të të vegjëlve, do të lehtësohen nga barra fiskale dhe do të vihen përballë konkurrencës së drejtë!

Kjo elitë e kalbur e partive të vjetra politike nuk di të bëjë gjë tjetër veç të rrisë borxhet dhe taksat, të bëjë korrupsion dhe të varfërojë shqiptarët.

ZGJIDHJA do rrisë ekonominë reale, do punësojë njerëzit dhe do mundësojë pasurimin e popullit.

#ZgjidhjaDoPasurojëShqiptarët

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat