Gjykata rrëzon kërkesën e Rovena Gashit për shkarkimin nga detyra

Shqipëria

Gjykata rrëzon kërkesën e Rovena Gashit për shkarkimin nga detyra

Më: 17 janar 2018 Në ora: 14:41
Rovena Gashi

Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e prokurores Rovena Gashi kundër kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Markut. Gashi pretendonte se shkarkimi i saj nga detyra e drejtores së njësisë së dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ishte i paligjshëm. Por nuk menduan kështu anëtarët e trupit gjykues në Gjykatën Administrative të cilët pasi dëgjuan pretendimet e dy palëve, mbrojtjes së prokurores dhe përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, vendosën të rrëzonin kërkesën e bërë nga Gashi. Pas seancës për mediat ka folur avokati i Rovena Gashit, Çlirim Gjata i cili tha se do të ankimonte vendimin e gjykatës, duke e konsideruar si të paligjshëm.

Më tej avokati tha se prokurorja Gashi është shkarkuar pa asnjë motivacion, duke shtuar se as në kohën e diktatorit Enver Hoxha nuk ka pasur shkarkime të tilla. Sipas tij, as një pastrues nuk mund të shkarkojë kryeprokurorja pa motivacion dhe jo më një drejtoreshë. “Me kompetencë të plotë ligjore mund të them se nuk kam parë ndonjëherë akt administrativ më të paligjshëm dhe më antikompetent. Është shkarkuar një drejtore e Drejtorisë pa asnjë motivacion.

Ka rrezik që as në kohën e Enver Hoxhës të kenë shkarkuar nga detyra pa motivacion. As një pastrues nuk mund të shkarkojë kryeprokurorja pa motivacion jo më një drejtoreshë Drejtorie.”-tha Çlirim Gjata. Sipas rregullores, vendimi i Gjykatës Administrative mund të apelohet brenda 5 ditëve, ndërsa më 31 janar, gjykata pritet të shqyrtojë në themel padinë e Gashit ndaj kryeprokurores.

Kujtojmë se prokurorja Rovena Gashi ka bërë padinë e saj në datën 9 janar, ndërsa shkruante se shkarkimi ishte i paligjshëm dhe ka ardhur pas kërkesës për ndërprerjen e mandatit të dy deputetëve, Aqif Rakipit dhe Gledian Rehovicës. “Vendimi për lirimin tim është absolutisht i pavlefshëm. Të pezullohet vendimi i lirimit si Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme ka uzurpuar kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Lirimi nga detyra është bërë pas kërkesës për ndërprerjen e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovices.”-shkruhej në padinë e Rovena Gashit. Kjo e fundit konsiderohej edhe si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Gjithashtu kryeprokurorja Marku është paditur dhe nga bashkëshorti i Rovena Gashit, ish-kryeprokurori i Elbasanit Dritan Gina, edhe denoncimi i tij erdhi pas shkarkimit nga detyra. Në padinë e depozituar te Krimet e Rënda, Gina kërkoi pezullimin nga detyra të Kryeprokurores Arta Marku dhe urdhërimin e kryerjes së ekspertizës psikiatriko-ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat