Bushati takon zv.kryeministrin maqedonas Osmani, në fokus rrëzimi i barrierave dhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar

Shqipëria

Bushati takon zv.kryeministrin maqedonas Osmani, në fokus rrëzimi i barrierave dhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar

Më: 17 janar 2018 Në ora: 16:47
Ditmir Bushati dhe Bujar Osmani

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani.

Dy bashkëbiseduesit u ndalën me përparësi në nevojën e nxitjes së bashkëpunimit dypalësh e rajonal, veçanërisht në kuadër të angazhimit të dy qeverive në mbledhjen e Pogradecit për ngritjen e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase në një stad të ri cilësor dhe ndërtimin e një rajoni evropian në përputhje me angazhimet e Samitit të Triestes dhe qëllimin e përafrimit me Bashkimin Evropian. Theksi u vu në mobilizimin e përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e projekteve të ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike, rrëzimit të barrierave dhe bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut u konsiderua si një mundësi për evidentimin e trashëgimisë kombëtare, jo vetëm si vektor identiteti, por vlerë e përbashkët evropiane mes dy vendeve tona.

Ministri Bushati përshëndeti arritjet e kursit reformator të ndërmarrë nga kryeministri Zaev për përshpejtimin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, në kuadër të Planit 3-6-9 dhe forcimit të fqinjësisë së mirë. Ai veçoi, në këtë kontekst, përfundimin me sukses të procesit legjislativ për ligjin e përdorimit të gjuhëve, që siguron një shtrirje më të gjerë të përdorimit të shqipes, një akses më të mirë të qytetarëve në shërbime, një përfshirje më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni në mirëqeverisje, politikat zhvillimore, si dhe ndërtimin e shoqërie të hapur dhe një shteti bazuar në vlerat evropiane.  “Miratimi javën e kaluar në Sobranie i këtij akti është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë. Jemi të gatshëm të asistojmë me kapacitete dhe infrastrukturë njerëzore e teknike për zbatimin në praktikë të Ligjit”, u shpreh kreu i diplomacisë shqiptare. 
 
Ministri Bushati dhe zëvendëskryeministri Osmani u ndalën edhe në çështje të bashkëpunimit rajonal, në dritën e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ministri Bushati siguroi se Shqipëria, si aktore e rëndësishme e fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, do të vazhdojë të mbështesë integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë. Në kuadrin e zhvillimeve të ardhshme të këtij gjashtëmujori, dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Strategjia e pritshme e KE-së dhe kryesia bullgare e Bashkimit Evropian përbëjnë një moment me rëndësi të veçantë për rigjallërimin dhe nxitjen e perspektivës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat