Qeveria Rama shton edhe 39 milionë lekë për makinat e prefektëve

Shqipëria

Qeveria Rama shton edhe 39 milionë lekë për makinat e prefektëve

Më: 17 janar 2018 Në ora: 19:40
Qeveria Rama

39 milionë lekë janë akorduar me vendim të Këshillit të Ministrave si fond shtesë për blerjen e automjeteve për prefektët e qarqeve.

12 prefektë të rinj të cilët në të shkuarën kishin shërbyer si ish-ushtarak u prezantuan më 1 nëntor më 12 qarqet e vendit.

Në deklaratat e tij kryeministri Rama ka theksuar rritjen e rolit të prefektëve në qarqe, e mesa duket nuk ka kursyer as buxhetin e shtetit në dobi të tyre.

Vendimi:

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME, PËR BLERJE TË AUTOMJETEVE PËR PREFEKTËT E QARQEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, t’i shtohet fondi prej 39 000 000 (tridhjetë e nëntë milionë) lekësh për blerje të automjeteve për prefektët e qarqeve.

Fondi prej 39 000 000 (tridhjetë e nëntë milionë) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat