Meta: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të jetë çdoherë dhe në çdo kohë, ylli polar i kombit tonë

Shqipëria

Meta: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të jetë çdoherë dhe në çdo kohë, ylli polar i kombit tonë

Më: 17 janar 2018 Në ora: 23:12
Ilir Meta

Presidenti Meta në takimin përmbyllës të aktiviteteve lidhur me 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut

META: Ky vit i përkujtimit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, le të jetë një vit i reflektimit dhe rrugëtimit drejtë integrimit tonë si shtet dhe si komb edhe institucionalisht

META: Skënderbeu, Kampioni ynë i luftës për liri, u përjetësua si luftëtari dhe heroi i parë i Evropës së bashkuar dhe i qytetërimit perëndimor.

META: Skënderbeu shkëlqeu jo vetëm si luftëtar dhe strateg i madh, por edhe si një diplomat me vizion.

META: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të jetë çdoherë dhe në çdo kohë, ylli polar i kombit tonë.

META: Arbëreshët, ura e rëndësishme e lidhjes së kombit tonë me Europën.

META: Kujtesa juaj i dha dritë rilindjes dhe vizionit të kombit për ngritjen e shtetit modern shqiptar.

17 janar 2018

Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta mori pjesë në takimin përmbyllës të aktiviteteve lidhur me 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në aktivitetin e zhvilluar sot në Qendrën Kulturore Orthodokse ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Ministri i Diasporës, z. Pandeli Majko, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend si edhe një përfaqësues të arbëreshëve të ardhur nga Italia.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Meta tha se viti i përkujtimit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut le të jetë një vit i reflektimit dhe rrugëtimit drejt integrimit tonë si shtet dhe si komb edhe institucionalisht, atje ku na e caktoi vendin Gjergji ynë, në Europën e bashkuar, në familjen e madhe të kombeve perëndimore.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Ilir META

I nderuari z. Kryetari i Kuvendit

I nderuari z. Ministër,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra arbëreshë,

Tashmë kemi hyrë në vitin e Skënderbeut, për të kujtuar dhe nderuar, atë që na dha emër si askush tjetër deri më sot, në historinë e kombit tonë.

Për ta kujtuar dhe respektuar atë që na bën të ndjehemi krenarë, jo vetëm me historinë tonë, por edhe për atë se çfarë i kemi dhënë Europës dhe mbarë qytetërimit perëndimor.

Në kapërcyell të shekullit të 15-të, kur qenia jonë ishte më e rrezikuar së kurrë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, diti dhe mundi të bëjë bashkë prijësit e trevave shqiptare, më 2 Mars 1444 në Lezhë.

Qëndresa dhe luftërat e tij bënë që ne të mbijetojmë si komb dhe si etni, të jemi të pandarë dhe të bashkuar rreth emrit, flamurit dhe gjuhës së Gjergjit tonë.

Gëzimet, festat dhe çdo gjë e jona, në ballë ka emrin dhe figurën e tij.

Me veprat e Barletit e të Dhimitër Frangut, në vargjet e Naimit e të Fishtës, të Nolit, e deri të shkrimet e Aleks Budës, Ernest Koliqit, Sabri Godos, Kristo Frashërit, Ismail Kadaresë, Esat Mekulit dhe shumë e shumë historianëve, studiuesve, shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve të ndryshëm, e deri te vargjet qe thurin fëmijët e klasave të para në ditët e sotme, menjëherë pasi mësojnë alfabetin shqip, ne dëshmojmë kujtesën e përjetshme për krye-heroin tonë.

Tirana, Prishtina, Shkupi, Kruja, Dibra dhe shumë qytete të tjera ku jetojnë shqiptarët, në zemër të tyre si shenjë identifikimi, mbajnë shtatoret dhe bustet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Shkollat, akademitë, rrugët, bulevardet, emrat e fëmijëve, dekoratat dhe çmimet, janë përjetësim i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndër ne.

Skënderbeu shkëlqeu jo vetëm si luftëtar dhe strateg i madh, por edhe si një diplomat me vizion.

Ai bëri shumë miq dhe aleatë edhe jashtë trojeve arbërore, duke filluar me Janosh Huniadin e Hungarisë, Venedikun, Vatikanin, Mbretërinë e Napolit, me Raguzën dhe shtete të tjera të rëndësishme të kohës.

Skënderbeu pati letërkëmbime diplomatike më shumë mbretër e princër të kohës në të gjithë Europën.

Largpamësia, mençuria dhe diplomacia e Gjergj Kastriotit, ishte udhërrëfyesi më i mirë, jo vetëm për bashkëkombësit e tij, por për të gjithë Evropën dhe mbarë qytetërimin perëndimor, se si duhej të rezistohej dhe se si duhej bërë bashkimi i forcave kundër rrezikut më të madh të kohës.

Sakrificës së tij dhe të popullit tonë, historia evropiane dhe qytetërimi evropian, i dhanë vendin dhe respektin e duhur.

Në mbarë Europën dhe botën, u shkruan me qindra libra, drama, opera, këngë e poezi, u realizuan gravura, piktura, skulptura dhe filma për këtë trim të përmasave të jashtëzakonshme.

E përjetësuan dhe e kujtuan në veprat e tyre, filozofë, politikanë, historianë dhe shumë e shumë shkrimtarë e artistë evropianë e botërorë.

Kampioni ynë i luftës për liri, u përjetësua si luftëtari dhe heroi i parë i Evropës së bashkuar dhe i qytetërimit perëndimor.

Gjergji ynë, i cili qëndron krenar në shtatoret dhe bustet e ngritura shumëkund, si në Romë, Bruksel, Zyrih, Paris, Londër, Nju Jork, Miçigan, dhe në shumë qytete të tjera të botës, qëndron krenar, si simbol i bashkimit, qëndresës dhe kontributeve të përkatësisë sonë perëndimore si komb.

Ai është pasaporta më e mirë dhe më dinjitoze e përkatësisë sonë evropiane dhe e kontributit tonë si pjesëtarë të kombeve perëndimore.

Vëllezër dhe motra arbëreshë,

Nuk mundem që mos t’ju drejtohem ju, me mirënjohjen të pakufishme për çdo gjë që keni bërë për të mbajtur gjallë veprën dhe trashëgiminë e Gjergjit tonë.

Ju, që jeni pasardhësit e Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve më besnikë të tij.

Ju arbëreshët e Skënderbeut, siç dëshironi ta quani veten shpeshherë ju vëllezërit tanë arbëresh, ju, gjaku ynë i shprishur që jetoni në Kalabri e Sicili, por edhe në të gjithë Italinë, e deri në Argjentinë, Amerikë dhe Australinë e largët, meritoni një nderim të veçantë.

Kush më bukur se sa ju dhe paraardhësit e juaj e mbajti të gjallë jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit.

Kujtesa juaj për kohën e lavdishme, artikuluar dhe e shkruar bukur, që nga Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Jeronim de Rada, Vorea Ujko, e deri në ditët e sotme te shkrimtarët dhe studiuesit, si Karmine Abate, Francesko Altimari, Matteo Mandala, dhe shumë e shumë të tjerë, i dha dritë rilindjes dhe vizionit të kombit për ngritjen e shtetit modern shqiptar.

Ju, në çdo qytet ku jetoni, e keni përjetësuar në buste dhe vepra të tjera të artit, me këngë e valle, Gjergjin tonë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun e mbarë Europës.

Ju, ishit ura e rëndësishme e lidhjes së kombit tonë me Europën.

Ju, ishit rilindasit e Italisë dhe të Shqipërisë dhe do te jeni gjithmonë krenaria e kombit dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

Zonja dhe zotërinj,

Ky vit i përkujtimit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, le të jetë një vit i reflektimit dhe rrugëtimit drejtë integrimit tonë si shtet dhe si komb edhe institucionalisht, atje ku na e caktoi vendin Gjergji ynë, në Europën e bashkuar, në familjen e madhe të kombeve perëndimore.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të jetë çdoherë dhe në çdo kohë, ylli polar i kombit tonë.

Ky vit i Skënderbeut, përveç aktiviteteve të jashtëzakonshme që do të zhvillohen kudo, kërkon nga ne, të bëjmë përpjekjet më të vendosura për të përforcuar rrugën evropiane të Shqipërisë, përmes çeljes se negociatave në qershorin e ardhshëm.

Kjo do të jetë e mundur veçse përmes një reflektimi e bashkëpunimi të ri e të sinqertë të gjithë forcave politike e shoqërore për ta kthyer vitin 2018, në një vit historik edhe për të ardhmen e sigurt europiane të vendit.

Faleminderit dhe do të takohemi edhe në Itali, sikurse kemi rënë dakord edhe me Presidentin e Republikës së Italisë, z. Mattarela për të zhvilluar ngjarje dhe aktivitete edhe atje me të gjithë arbëreshët tanë të dashur në nderim të kësaj figure të jashtëzakonshme e cila edhe sot e kësaj dite është më i gjallë se çdo shqiptar tjetër, siç ka thënë Noli ynë i madh. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat