‘Zgjohet’ Prokuroria, hapen dosjet e ngelura pezull

Shqipëria

‘Zgjohet’ Prokuroria, hapen dosjet e ngelura pezull

Më: 18 janar 2018 Në ora: 07:52
Ilustrim

Dosja ndaj drejtuesve të kompanisë “Kurum” Koray Zeytinoglu dhe Yücel Aksu ka qenë e qepur dhe “blinduar” me prova, por çuditërisht nuk po merrte dot zgjidhje, nga ish-drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina. 

Çështja penale është hetuar nga prokurorja Amanda Xhaferi, e cila pak kohë më parë pati një përplasje me Dritan Ginën, pasi ky i fundit në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë i ka kërkuar që të japë dorëheqjen nga dosja.

Prokurorja Xhaferi nuk ka pranuar pasi sipas saj me ndryshimet e reja ligjore drejtuesi i prokurorisë nuk mund ti heqë nga duart dosjen penale një prokurori që po e heton çështjen që në fillim. 

“Shqiptarja.com” mëson se dosja ka qenë gati për t’u çuar në gjykatë, pasi thuajse i gjithë hetimi dhe akti i ekspertimit kontabël që përcaktonte dhe dëmin ekonomik që kompania “Kurum”, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit, kishte përfunduar. Mirëpo me një vendim të menjëhershëm në datën 2 tetor 2017 drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit Dritan Gina, ka vendosur t’i heqë dosjen prokurores Amanda Xhaferi dhe t’ia japë çështjen një prokurori tjetër.

Që prej 2 tetorit e në vazhdim dosja dyshohet të jetë mbajtur qëllimisht në prokurori, duke mos u dërguar në gjykatë. Arsyet e këtij vendimi për të mbajtur çështjen në prokurori, i di vetëm ish-kryeprokurori Dritan Gina. Por Gina në 9 janar 2018 u detyrua të lerë zyrën e drejtuesit të akuzës së Elbasanit duke u rikthyer në Tiranë aty ku ka dhe dekretin. Ndërkohë vetëm pas 8 ditësh pas ikjes së Ginës nga detyra e drejtuesit, prokurori i ri, i emëruar nga Arta Marku Ardian Nezha, ka urdhëruar që çështja të dërgohet në gjykatë.

Gjithashtu “Shqiptarja.com” mëson se gjatë ditës së djeshme gjykata e Elbasanit ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurores Amanda Xhaferi për të shpallur moskompetencën dhe çështjen t’ia kalojë gjykatës së Kavajës.

Do jetë pikërisht kjo gjykatë që do vendosë nëse Dritan Gina do hetohet ose jo, nga prokuroria për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi ndaj tij pak kohë më parë depozitoi kallëzim penal prokurorja Xhaferi, e cila e akuzoi Ginën për heqjen e dosjeve që ajo kishte në hetim dhe zhdukjen e tyre. Të kallëzuar janë edhe dy zv/drejtuesit e prokurorisë së Elbasanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat