Meta thirrje politikës: Konfliktet dhe fryma përjashtuese duhet t’i lenë vendin bashkëpunimit

Shqipëria

Meta thirrje politikës: Konfliktet dhe fryma përjashtuese duhet t’i lenë vendin bashkëpunimit

Më: 18 janar 2018 Në ora: 20:12
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një ceremoni pritje për vitin e ri me trupin diplomatik.

Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit të saj evropian, në pritmërinë legjitime që në 6-muajt e ardhshëm të çelim negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Meta u bën të gjithë aktorëve vendas, në veçanti maxhorancës dhe opozitës për të përmbushur me përgjegjësi maksimale detyrimet tona.

Fjala

I nderuar Zoti Ministër,

I nderuar Dekan i Trupit Diplomatik, 

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Të nderuar Konsuj Nderi,

Zonja e Zotërinj,

Duke falënderuar Ambasadorin Zariç për urimet që përcolli për Shqipërinë dhe për mua si President, në emër të Trupit Diplomatik, dua të vlerësoj kontributin e secilit prej jush, për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat ku bashkohen interesat tona të ndërsjella. 

Duke besuar në përfaqësimin e përgjegjshëm e dinjitoz dhe në lartësinë që meriton vendi apo organizata juaj, dua të shpreh optimizmin se falë edhe bashkëpunimit tuaj, 2018 do të mund të shënojë suksese të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ndodhen ata.

Shqipëria ka hyrë në vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili ka një peshë dhe rëndësi madhore në historinë dhe identitetin tonë kombëtar. 
Siç do të pohonte Fan Noli dikur, “Nuk e di nëse ka ndonjë njeri po aq të gjallë sot sa Skënderbeu”, unë do të shtoja se nuk e di të ketë ndonjë personalitet kaq përbashkues e frymëzues për të gjithë bashkëkombësit e mi sa heroi ynë kombëtar. 

Shqipëria ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit të saj evropian. 

Ne kemi pritmërinë legjitime që në 6-muajt e ardhshëm të çelim negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. 

Është me rëndësi jetike për Shqipërinë dhe rajonin tonë të ndërtohet një agjendë gjithëpërfshirëse dhe me afate inkurajuese anëtarësimi në BE. 

Ndaj, në vigjilje të shpalljes së strategjisë së re të zgjerimit, kërkojmë ndaj partnerëve tanë evropianë: Komisionit, vendeve anëtare, Parlamentit, për ta konsideruar me peshën e merituar politiko-strategjike vendimin për kalendarin e ri të zgjerimit të BE-së drejt rajonit tonë. 

Natyrisht thirrja e parë u shkon të gjithë aktorëve vendas, në veçanti maxhorancës dhe opozitës për të përmbushur me përgjegjësi maksimale detyrimet tona. 

Çelja e negociatave gjatë Presidencës bullgare, na kërkon shumëfishimin e përpjekjeve të përbashkëta për të garantuar sigurinë në rrugën e përbashkët evropiane të vendit. 

Ndaj, konfliktet dhe fryma përjashtuese duhet t’i lenë vendin bashkëpunimit dhe dialogut politik për të arritur rezultate më të prekshme e të besueshme për reformat e kërkuara e sidomos në 5 prioritetet kyçe, duke nisur me reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, të drejtat e pronës, reforma e drejtë në administratën publike dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Qytetarët tanë së pari por edhe gjithë partnerët presin ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë në respekt të ndryshimeve kushtetuese të realizuara me konsensus. 

Ndaj zbatimi i reformës në mënyrë transparente, të përgjegjshme e të paanshme kërkon dialog dhe bashkëpunim të qendrueshëm e të sinqertë për të garantuar pavarësinë, besueshmërinë dhe qendrueshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

Niveli i pavarësisë së institucioneve mbetet barometri më i saktë i standardit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. 

Zonja e zotërinj, 

Viti 2018 shënon 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë botërore, dhe në mbarë botën do të flitet për mësimet që  na jep historia. 

Për shqiptarët, ky përvjetor rifreskon rolin vendimtar të Presidentit amerikan Uillson për mbijetesën e shtetit shqiptar. 

Me këtë rast dua të rikonfirmoj mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i kanë ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull. 

Falë kësaj mbështetjeje të vyer jam i bindur se Shqipëria do të ecë përpara në rrugën e reformave, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrollit të kufijve, sfida që lidhen ngushtë me sigurinë tonë kombëtare dhe të rajonit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat