Demokrati: Basha duhet të kuptojë që protesta nuk do të “çmontojë” gjë, e jo më qeverinë

Shqipëria

Demokrati: Basha duhet të kuptojë që protesta nuk do të “çmontojë” gjë, e jo më qeverinë

Më: 18 janar 2018 Në ora: 20:35
Lulzim Basha

Për ish Ministrin e Jashtëm të PD-së Besnik Mustafaj, pritshmëritë e protestës së fund janarit nga ana e opozitës janë kthyer në një “tollumbace” e cila do të plasë shumë shpejt.

I ftuar në News 24, Mustafaj tha se Basha po bën gabim duke i thënë bazës demokrate se në protestë do të “çmontojë qeverinë”, pasi një deklarim i tillë është shumë larg realitetit. Nga ana tjetër Mustafaj shikon dhe një tjetër problem, atë që gjendet tek Edi Rama dhe paaftësua e tij për të lexuar problemet dhe arsyet që e kanë sjellë Shqipërinë në mes të këtyre problemeve.

“Unë jam një nga ata njerëz që besoj se nga protesta ka vetëm të mira. Protesta në një shoqëri të lire dhe demokratike është një presion i madh ndaj mazhorancës për t’i përmirësuar gjërat. Për situatën në vend unë shoh dy probleme. Së pari Basha po krijon një pritshmëri të parealizueshme. Po i thotë qytetarëve në takime se me këtë protestë do ta çmontojmë qeverinë Rama. Por kjo është e parealizueshme. Së dyti, problemi është shumë i madh edhe tek kryeministri Rama dhe grupi i tij. Ai nuk pranon t’i lexojë arsyet e një situate të tillë. Rezultatet e protestës do të jenë minimale”, tha Besnik Mustafaj.

Por sipas Besnik Mustfajt ka një zgjidhje, për të sjellë afër masat e pakënaqura të qytetarëve me politikën.

“Nëse do të kishte një strukturë të rregullt që të përfaqësojë interesat e masës së pakënaqur atëherë situata do të ishte ndryshe. Por me partitë tradicionale në vendin tonë, diçka e tillë nuk është e mundur. Lidershipi i PD sot është me imazh të dëmtuar. Për të krijuar besim më shumë te njerëzit e zhgënjyer sesa tek militantët e partisë, duhet të ketë një qëndrim ndryshe nga ana e opozitës”, u shpreh Mustafaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat