Arrestimi i deputetëve, shtyhet për javën e ardhshme diskutimi i propozimit të PS

Shqipëria

Arrestimi i deputetëve, shtyhet për javën e ardhshme diskutimi i propozimit të PS

Më: 19 janar 2018 Në ora: 16:58
Pamje nga takimi

Mazhoranca në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores pranoi kritikat e opozitës për procedurën ndërsa hoqi nga rendi i ditës propozimin për ndryshime në rregulloren e Kuvendit, kryesisht mbi procedurën ku kërkohet autorizim për arrestimin e deputetëve.

Eduard Halimi i Partisë Demokratike tha se kjo nismë nuk mund të diskutohet me procedurë të përshpejtuar.

Halimi: Kur të jetë për tu diskutuar, kur të plotësojë kërkesat ligjore për tu futur në shqyrtim, pra pas datës 26 futet në kalendar dhe pastaj vjen këtu, pastaj ne bëjmë dhe diskutimin.

Por edhe pse u hoq nga rendi i ditës dhe diskutimi pritet të bëhet javën e ardhshme, Partia Demokratike paralajmëroi kundërshti të fortë për nismën e socialistëve.

Halimi: Ju thoni që këtij SPAK-ut, me pretendimin që keni sjellë në rregullore, do t'ia mbyllim derën kur të trokasë në këtë derën këtu, nuk ka të bëjë fare as me reformën në drejtësi të miratuar me 22 korrik, as me Kushtetutën e miratuar me 22 korrik.

Përtej procedurës, një përgjigje opozitës ia dha kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ruçi: Ka vetëm një hall, cili është halli? Do të njësojmë rregulloren thjesht me ndryshimet kushtetuese dhe me ndryshimet që janë bërë në paketën ligjore.

Opozita duket sikur kishte për qëllim që ti evidentonte shkeljet e rregullores kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Rasti i dytë ishte gjatë diskutimit në Këshillin e kodit të etikës për deputetët.

Halimi: Nuk ka pasur miratim në parim për këtë, ka pasur diskutime në parim në mbledhjen e kaluar, nuk janë mbyllur diskutimet në parim.

Ruçi: Në parim kush është dakord? 5. Kundra?

Alibeaj: Tingëllon si luks i tepërt që sot të diskutohet në këtë parlament, në këtë situatë, kodi i etikës së parlamentit. Ka ndodhur thyerje flagrante e Kushtetutës, nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Thyerje më e madhe kushtetuese, ligjore e rregullores, etike madje, se zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm me 69 vota. Ku është respekti për Kushtetutën, ku është respekti për ligjin, ku është respekti për deputetin?

Në Kryesinë e Kuvendit u mblodh dhe Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar mbi reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjet e reformës në drejtësi.

Mbledhja u shty për datën 29 janar, ndërsa PD dhe LSI kishin mazhorancën në Këshill dhe kjo bëri që ata të vendosnin që të diskutoheshin të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligjet që lidhen me reformën, përfshirë dhe argumentat që u dhanë në lidhje me ligjin e vettingut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat