Kokëdhima: “Zgjidhja” përshëndet përkrahjen e SHBA-ve për reformën zgjedhore në Shqipëri

Shqipëria

Kokëdhima: “Zgjidhja” përshëndet përkrahjen e SHBA-ve për reformën zgjedhore në Shqipëri

Më: 21 janar 2018 Në ora: 10:29
Koço Kokëdhima

Partia “Zgjidhja” përshëndet deklaratën e fundit të ambasadorit amerikan në mbështetje të një reforme urgjente zgjedhore në Shqipëri.

“Pa një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të udhëhequr nga prezenca e OSBE-së dhe të votuar në Kuvend një vit para zgjedhjeve lokale, që do të garantonte pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, vendi ynë do përjetojë trazira dhe destabilizim në lokalet e 2019-ës”, thuhet në deklaratën e “Zgjidhjes”.

Deklarata e plotë

Partia “Zgjidhja” që bojkotoi zgjedhjet e fundit dhe po lufton që vendi të pajiset me një legjislacion modern të organizimit të proceseve elektorale, përshëndet deklaratën e fundit të ambasadorit amerikan në mbështetje të një reforme urgjente zgjedhore në Shqipëri.

Për zotin Lu, vendi ynë po humbet kohë të vyer që ta bëjë tani reformën e shumëpritur zgjedhore. Nëse duam të evitojmë një ngërç dhe një krizë politike madhore në zgjedhjet lokale të 2019-ës , duhet që në muajt e parë të këtij viti klasa politike ta ketë gati draftin e reformës zgjedhore.

Pa një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të udhëhequr nga prezenca e OSBE-së dhe të votuar në Kuvend një vit para zgjedhjeve lokale, që do të garantonte pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, vendi ynë do përjetojë trazira dhe destabilizim në lokalet e 2019-ës.

Ambasadori Lu i bëri thirrje kuvendit që “të ndalojë sherret dhe t’i futet punës” për miratimin e reformës.

Sherret në Kuvend s’janë gjë tjetër veçse tentativat qesharake të kësaj elite politike për ta kufizuar reformën vetëm në aspektin e të drejtës së votës për diasporën. Nëse kjo masë është e vlefshme për zgjedhjet legjislative të 2021, ajo nuk ka asnjë pikë vlere për zgjedhjet lokale të 2019 sepse diaspora nuk është e interesuar dhe nuk voton në këto të fundit.

Çështja është që zgjedhjet lokale që po trokasin, të çlirohen nga ushtria e kriminalizuar e komisionerëve të partive të vjetra, që këto zgjedhje të mos blihen, tjetërsohen e vidhen siç ka ndodhur 25 vite me rradhë.

ZGJIDHJA e ka të prerë qëndrimin e saj: Kërkon një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse që të garantojë minimalisht votimin dhe numërimin elektronik, jo në distancë, por në çdo qendër votimi dhe që proceset zgjedhore të administrohet nga shteti dhe jo nga partitë.

Ambasadori Lu thekson se është e domosdoshme që Kuvendi të adoptojë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Partnerët ndërkombëtarë kanë nxjerrë mësimet e duhura nga diskreditimi i zgjedhjeve në Shqipëri. Ata janë të gatshëm të na ndihmojnë për të hartuar një draft të ekulibruar të një reforme zgjedhore, i cili të rikthejë besimin e shqiptarëve te zgjedhjet, të kënaqë të gjitha partitë e spektrit politik dhe mbi të gjitha të mbrojë interesat e popullit shqiptar. Kryeministri enkas po e zvarrit reformën zgjedhore me qëllim që të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me kodin e vjetër të retushuar. Ky plan ogurzi duhet ndalur. Numërimi mbrapsht ka filluar.

ZGJIDHJA fton partnerët ndërkombëtarë miq të Shqipërisë të ndihmojnë që reforma zgjedhore të bëhet tani para se të jetë tepër vonë, domethënë para se të fiksohen datat e zgjedhjeve lokale.

ZGJIDHJA ka një mesazh për shqiptarët: Reforma zgjedhore është me prioritare sesa hapja e negociatave për integrim në BE. Si mund të futet Shqipëria në bashkësinë e demokracive europjane kur zgjedhjet janë të kapura e të marra peng nga dy partitë e vjetra që janë zhytur kokë e këmbë ne sa e sa krime elektorale. I vetmi vend në kontinent ku zgjedhjet i administrojnë komisionerët e dy-tri partive është Shqipëria e Sali Berishës dhe e Edi Ramës. Po nuk arritëm dot të negociojmë midis nesh se çfarë sistemi zgjedhor duam në mënyrë që mos të vazhdojmë të bëhemi gazi i botës me zgjedhjet që gjithmonë i kontestojmë, si do negociojmë me Europën që të na pranojë në gjirin e saj si të barabartë midis të barabartëve?!

ZGJIDHJA do të udhëheqë me vendosmëri luftën e popullit tonë për çlirimin e zgjedhjeve dhe të shtetit tonë nga mafia e partive, nga Rilindja dhe partitë e vjetra të Shqipërisë! Ka ardhur koha që PD dhe PS të heqin duart nga zgjedhjet. Përndryshe do të paguajnë një çmim të lartë! Ne e ftojmë PD-në të mos vazhdojë pazaret dhe lojërat “kukafshehtas” me Edi Ramën në bodrumet e politikës së Tiranës! Shqiptarët nuk do e durojnë më këtë situatë kur këto dy parti vazhdojnë të mbajnë peng zgjedhjet dhe shoqërinë shqiptare. Ata do luftojnë për të reformuar sistemin politik, veçanërisht zgjedhjet me qëllim që në vendin tonë të vendosen e të sundojnë liritë politike dhe, përmes tyre, të përtërihet thellësisht elita politike.

ZGJIDHJA nuk do të përfshihet në dhe nuk do të lejojë që në tokën tonë të zhvillohen më tej zgjedhje të pareformuara, të palira dhe të pabarabarta.

#ZgjidhjaPërZgjedhjeTëPastra

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat