Logar: Ka pakënaqësi në BE për punën e bërë në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri

Shqipëria

Logar: Ka pakënaqësi në BE për punën e bërë në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri

Më: 10 mars 2018 Në ora: 23:29
Andrej Logar

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Ilva Tare, zëvendës ministri i Jashtëm i Sllovenisë Andrej Logar u shpreh optimist për çeljen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian.

Logar tha se vendet anëtare kanë ende pakënaqësi për punën e bërë nga qeveria për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se këto janë problemet që Shqipëria duhet të zgjidhë.

Ilva Tare: Cila është arsyeja e vizitës suaj këtë herë?

Andrej Logar: Qëllimi ishte të mbajmë një dialog të rregullt politik me të gjithë kolegët, me qeverinë e Shqipërisë. U takova me ministrin Bushati dhe zëvëndësministrin e Jashtëm, gjithashtu takova disa njerëz nga shoqëria civile, nga parlamenti. Pra për të mbajtur një dialog politik të gjallë, për të njohur njëri-tjetrin më mirë dhe gjithashtu për të lehtësuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ilva Tare: Ndodhemi në një fazë interesante për Shqipërinë në javët dhe muajt në vijim, ne po presim rekomandimin për t’i hapur negociatat me Bashkimin Europian. Cili është qëndrimi i Sllovenisë për këtë çështje?

Andrej Logar: Pozicioni ynë është shumë i qartë. Ne ndoqëm nga afër vizitën e Presidentit të Komisionit Europian, Juncker, në Tiranë. Nuk jemi plotësisht të kënaqur me strategjinë europiane për zgjerimin. Ne besojmë se strategjia duhet të jetë më konkrete me afate kohore, më shumë e detajuar. Sidoqoftë, ne presim një raport progresi pozitiv në muajin prill, dhe presim që Shqipërisë t’i jepet një datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Presim që rekomandimi të jetë për gjysmën e parë të këtij viti. Ky është pozicioni ynë dhe ky është pozicioni që po mbrojmë në Bruksel gjithashtu.

Ilva Tare: Jeni të kënaqur me kushtet që ka plotësuar Shqipëria deri tani? Duhet të bënte më shumë?

Andrej Logar: Asnjëherë nuk e di se çfarë është e nevojshme të bësh për të qenë më mirë por unë besoj se Shqipëria është në rrugë të mbarë për pesë prioritetet kyçe. Ka bërë progres domethënës, doja vetëm të përmendja reformën në administratën publike, në gjyqësor, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Fatkeqësisht nuk shohim të njëjtin nivel ambicie në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat janë dy pika kryesore për Bashkimin Europian. Vendet anëtare besojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë në këtë aspekt, në mënyrë që të parandalohet shtrirja e krimit të organizura në Bashkimin Europian. Është një çështje shumë delikate për qeverinë dhe do të këshilloja qeverinë të bënte diçka për të arritur disa rezultate të prekshme.

Ilva Tare: Qeveria ju ka thënë atë që ka përmbushur tashmë për sa i përket luftën kundër korrupsionit. A janë këto të dhëna të kënaqshme? Kanë ndonjë justifikim për atë që duhet të ishte bërë më mirë?

Andrej Logar: Jo, për të thënë të vërtetën, por mesazhi im është që nuk ka vend për justifikime, ka gjithmonë hapësirë për të bërë më shumë dhe sinqerisht, qeveria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar veçanërisht

Ilva Tare: A do të jetë kjo një problem apo pengesë për hapjen e negociatave deri sa qeveria të tregojë rezultate të qarta në luftën kundër korrupsionit?

Andrej Logar: Mendoj që jo tani për tani. Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe sigurisht që nëse nuk ka rezultate të prekshme, mund të shkaktojë disa probleme, veçanërisht për sa i përket rekomandimit për nisjen e negociatave. Ka dhe një problem tjetër. Ka një numër të madh të azilkërkuesve në çdo vend të Europës. Mendoj se është një fushë tjetër ku qeveria duhet të punojë më shumë.

Ilva Tare: Ju përmendët strategjinë që u publikua dhe u prezantua nga vetë zoti Juncker në të gjithë rajonin e Ballkanit. Çfarë duhet të bëjnë më shumë këto vende pas prezantimit të kësaj strategjie?

Andrej Logar: Pasi kjo strategji u miratua, vendet e rajonit duhet të miratojnë plane qeveritare për negociatat. Sllovenia e mbështet zgjerimin. Ne besojmë se Ballkani Perëndimor nuk merr vëmendjen që meriton. Ne duam stabilitet në rajon.Në duhet të paraqesim një prespektivë zgjerimi të besueshme për vendet. Një prespektivë zgjerimi e besueshme për vendet do të thotë përpjekje të besueshme, reforma dhe veçanërisht respektimin e rritjes dhe forcimit të sundimit të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat