Rrëfimi prekës i fotografit që shkrepi foton e fundit të Azem Hajdarit

Shqipëria

Rrëfimi prekës i fotografit që shkrepi foton e fundit të Azem Hajdarit

Më: 11 mars 2018 Në ora: 08:32
Azem Hajdari

Fotografi Felix Bilani me anë të një rrëfimi prekës ka treguar momentet e fundit të Azem Hajdarit.

Bilali i cili ka bërë edhe foton e fundit të Azem Hajdarit pas atentatit ka kujtuar momentet e vështira të 12 shtatorit të vitit 1998.

Bilani shkruan se lajmin ia dha i ndieri Sokol Olldashi.

"Nuk kishin vrarë vetëm Azemin, së bashku me të vranë fjalën e lirë, vranë median e lirë, vranë atë që ishte gjithmonë pro lirisë, edhe brenda PD"- shkruan Bilali në Facebook. 

Rrëfimi i plotë:

12 shtator 1998, në atë kohë punoja për gazetën “Albania”. Rreth orës 09 e 30 u ulëm tek bar “Mariela” për të pirë kafen, mora gazetat dhe po u hidhja një sy, kishte media në atë kohë…Ngjarjet ishin të rënda, pasi bëra koronikat apo fotot e ditës, rreth orës 15:00 shkoj në redaksi, puna e zakonshme.

Me Sokol Olldashin, në atë kohë zv/kryeredaktor në këtë gazetë, rreth orës 16:00 shkuam tek piceri “Magelani” te pinim nga teke fernet dhe kafen. Koli e kishte qef fernetin .

Me biseda mbi letërsinë dhe poezinë, e pak për gazetarinë, çohemi dhe shkojmë në redaksi, unë ndenja dhe pak pasi nxora disa foto nga arkivi dhe largohem për shtëpi. Ishte mbrëmje kur më flasin në radio, pasi gazeta kishte radio dhe jo si sot telefon.

Botuesi Ylli Rakipi më thotë që duhet të shkoj urgjent në redaksi. Shkoj për pak minuta pasi e kisha afër redaksinë, mbeta pak i shtangur. Ylli ishte i mbushur, Sokoli gjithashtu.

Astrit Patozi nuk fliste por i mbushur në sy dhe ai. “Ça ka ndodh”- pyes? SokolOlldashi me thotë: “Na e vranë Azemin dhe duhet të shkojmë në Spitalin Ushtarak.” Mbetem dhe mpihem.

Vetvetiu më kaluan disa situata të Azem Hajdarit para syve. Nga hyrja në Tropojë ishte i plagosur atëherë (ngjarja kur Gafur Mazreku e plagosi në parlament ) e deri tek momenti i fundit në Qytet Studenti (ngjarja kur u vra një efektiv i forcave të ndërhyrjes së shpejtë ) ku më shpëtoi nga Agim Shehu zv.ministër i asaj kohe, pasi në atë kohë isha në gazeten “Koha jone” Fjalët që më tha atje ishin: “Feliks, mos fotografo pa ardhur unë sepse po vjen Agim Shehu dhe ti e di që as ty e as një gazetar te ‘Koha jonë’ nuk e ka mirë me të.”

Këto e të tjera më kalonin në mendje gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Mbërrijmë. Tek ajo që quhet urgjencë në Spitalin Ushtarak ishin shume njerez, aq shumë sa me shumë zor çamë turmën dhe hymë brenda. Futem brenda, eci tek dera majtas që shkon në salle operacioni, edhe aty shumë njerëz .

Ylli Rakipi më thotë që do bësh foton e fundit të Azemit, zëri i dridhej dhe ishte i mbushur në sy nga lot që mezi i mbante, po kështu edhe Sokol Olldashi.

Më futën në një derë djathtas. Futem brenda, shoh njerëz që ishin të afert dhe lotonin, unë në qafë përveç aparatit tim kisha dhe aparatet e dy kolegëve pasi vetëm unë do hyja brenda. Shoh Azemin dhe sytë më mbushen. Për herë të parë duart nuk më bënin të prekja aparatin.

Nuk kishin vrarë vetëm Azemin, së bashku me të vranë fjalën e lirë, vranë median e lirë, vranë atë që ishte gjithmonë pro lirisë, edhe brenda PD. Këto mendoja aty tek shihja trupin pa jete të njeriut që kundërshtoi Ramizin e çdokënd tjetër për një liri dhe një demokraci.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat