Arrestimi i deputetëve/ “Kuvendi si Gjykatë”, zbardhen debatet me dyer të mbyllura. Ruçi përplaset me PD e LSI

Shqipëria

Arrestimi i deputetëve/ “Kuvendi si Gjykatë”, zbardhen debatet me dyer të mbyllura. Ruçi përplaset me PD e LSI

Më: 11 mars 2018 Në ora: 10:03
Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve

Ndryshimet në rregulloren e re të Kuvendit, veçanërisht në nenin kur parashikohet dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetëve, ka përplasur kryetarin e Parlamentit dhe deputetët e opozitës në një seancë me dyer të mbyllura.

“Panorama” zbardh procesverbalin e debatit në Këshillin e Rregullores dhe Imuniteteve, teksa deputetët e opozitës shprehin shqetësimin se me rregulloren e re, Kuvendi do të kthehet si seancë gjyqi. Ish-ministri Drejtësisë, Nasip Naço, ka thënë në këtë mbledhje të datës 21 shkurt 2018, se procedura e re ka ardhur për shkak të kërkesës për arrestim të Saimir Tahirit. “Sigurisht, ligji, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës thonë se shoqërohet me një relacion, me provat e paraqitura, por nuk jemi ne organi që gjykon provat. Pra, nëse u hap një herë ky debat, u hap një praktikë me zotin Tahiri dhe të vazhdojmë në këtë rrugë, është më e gabuara”, ka thënë Naço. Por Gramoz Ruçi i ka kërkuar deputetëve të opozitës të mos bëjnë autogol, sepse kanë votuar ndryshimet kushtetuese me konsensus. Pjesë e debatit ka qenë dhe Kodi i Sjelljes, teksa deputetja e PD-së, Dhurata Çupi ka thënë se femrat në Kuvend shahen dhe ofendohen. Ndërkohë që, Ruçi ka theksuar se në Parlament kur flitet për “arrën”, s’mund të flasësh për “bananen”.

Debati më dyer të mbyllura

Gramoz Ruçi: Është mirë që Kodi i Sjelljes të miratohet me konsensus, jashtë luftës politike të ditës që kemi. Kështu, pavarësisht se e kemi kaluar këtë çështje, ju lutem, ja ku jeni, të 3 grupimet politike, nëse keni amendime, nëse është e nevojshme të mblidhemi e t’i shikojmë përsëri ato, me qëllim që të shkojmë me një material në seancën e Parlamentit. Në të kundërt, do të jemi të detyruar (pasi jemi në kushtet që nuk ka ndonjë emergjencë për të bërë ndonjë gjë), sepse ky është një rekomandim, një detyrë shtëpie për Kuvendin e Shqipërisë, e parealizuar nga progres raporti. Jemi duke e pritur atë. Nuk kemi pse të lëmë njërën nga 56 masat, që ka përcaktuar Kuvendi i Shqipërisë lidhur me rekomandimet e BE-së, të mbetet Kodi i Sjelljes. Ka plot fusha të tjera për t’u bërë arena të luftës politike, prandaj, ju lutem shumë, ta vlerësoni dhe t’ia përcillni subjekteve politike që përfaqë- soni, se kjo është në interes të të gjithëve!

Nasip Naço: Ju me të drejtë shtruat dy çështje: e para, për Kodin e Etikës dhe e dyta, për ndryshimin e Rregullores. Në lidhje me Kodin e Etikës, kam deklaruar edhe në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së (ka firmosur edhe zoti Vasili për ta ndryshuar) dhe kemi qenë dakord. Sigurisht, drafti nuk ka qenë në përputhje me ndryshimin, por ka qenë një përsëritje e Rregullores dhe nuk ka qenë në formën e kërkuar. Edhe në seancën e kaluar, amendamentet që paraqiti zonja Hysi mund të ishin të drejta, por ishin më shumë vazhdimi i diskutimit sesa amendamente. Nëse do të kemi një draft të përpunuar edhe me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it, sigurisht, do të gjykojmë me mendje të ftohtë për ta kaluar Kodin e Etikës me konsensus në seancë. Pra, ne kemi qenë dakord…

Dhurata Çupi: Nëse doni ta votoni, votojeni me 71 vota, i keni votat; presionin e votave e përdorni në çdo takim, në çdo mbledhje, ku thoni: “Duam, e miratojmë” dhe e miratoni vetë. Doni ta miratoni, miratojeni, sepse ne nuk kemi shqetësimin e atleteve të Kryeministrit apo bluzën e Kryeministrit në seancat plenare, me stampat e partisë në pushtet. Ky është shqetësimi më i vogël. Shqetësimi është respektimi i opozitës dhe i çdo deputeti të saj në atë seancë, kur i mbyllet fjala, kur nuk lejohet të diskutohet, kur nuk i merret mendim për çështjet më themelore, kur Prokurori i Përgjithshëm votohet me 69 vota. Këto janë çështjet që duhet të diskutohen. Ne e dimë fjalorin e tmerrshëm që përdoret atje, ne i dimë fyerjet që bëhen ndaj zonjave deputete apo zotërinjve deputetë, ne e dimë që nuk respektohen deputetët e opozitës. Kështu që, shqetësimi sot nuk është Kodi i Etikës apo, për ta thjeshtuar, nuk është shqetësim sot nëse Kryeministri vesh atlete apo këpucë…

Gramoz Ruçi: Në lidhje me ndryshimet e Rregullores që kemi bërë në një mbledhje të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, që e shtymë. Ne, shqiptarët, vuajmë nga një gjë: kur jemi në opozitë, kërkojmë ta bëjmë Rregulloren për të favorizuar opozitën, kur jemi në pushtet kërkojmë të bëjmë Rregulloren për të favorizuar pushtetin, pa e ditur që sot jemi në opozitë dhe nesër vijmë në pushtet dhe sot jemi në pushtet dhe nesër kthehemi në opozitë. Prandaj, kërkohet që Rregullorja të jetë me konsensus. Nëse dikush do ta përdorë politikisht këtë problem, nuk ka të drejtë, sepse në radhë të parë bën autogol, sepse Kushtetuta ka marrë 140 vota, ndërsa Kodi Penal ka marrë 84 vota dhe i kanë votuar si pozita, ashtu edhe opozita. Sigurisht, për një kryetar Parlamenti normal prevalon Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale, apo jo? Pse të mos unifikohen Kushtetuta, Kodi i Procedurës Penale dhe Rregullorja? Kaq.

Nasip Naço: Nëse do të futen bashkë me këto nene edhe nene të tjera, për ta kthyer në arenë këtë komision dhe Parlamentin, ne jemi gati për ta kthyer edhe në arenë. Por, në dijeninë time, janë shtuar gjëra që këtë komision e kthejnë në gjykatë: t’i bëjmë pyetje prokurorit, t’i bëjmë pyetje deputetit, çka i bie që ne të shqyrtojmë provat. Sigurisht, ligji, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës thonë se shoqërohet me një relacion, me provat e paraqitura, por nuk jemi ne organi që gjykon provat. Pra, nëse u hap një herë ky debat, u hap një praktikë me zotin Tahiri dhe të vazhdojmë në këtë rrugë është më e gabuara. Mjafton të lexosh vendimin e Komisionit të Venecias, për ta kuptuar çdokush qartë se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nuk e jep votën vetëm kur ka të bëjë me interferenca politike. Në rastet e korrupsionit e të tjerë, sigurisht që çdo kërkesë e ardhur do të gjejë mbështetjen e Grupit Parlamentar të LSI-së.

Dhurata Çupi: Tani, në qoftë se ju doni të ndryshoni Rregulloren dhe e vetmja pikë e saj është që të vijë prokurori aty dhe t’i bëhet gjyq, besoj se kjo bëhet qesharake. Çdo shqiptar e kupton se miratimi ose jo i Rregullores apo i Kodit të Etikës nuk është qëllimi juaj, por ju doni të bëni propagandën e radhës. Ndaj, mendoj se Partia Demokratike nuk mund të bëhet pjesë e kësaj propagande tuajën. Doni ta votoni, votojeni, jeni të lirë, keni 71 vota dhe mund t’i votoni vetë.

Gramoz Ruçi: Unë nuk ju detyroj juve, por e kam detyrë funksionale që këtë rekomandim të bërë nga Bashkimi Europian, këtë detyrë shtëpie, që Parlamenti e ka vendosur pa dakordësinë tënde dhe timen, pavarësisht se kush është Kryetar sot dhe kush ishte dje, pavarësisht se kush është deputet sot dhe kush ishte dje, Parlamenti është këtu, drejtimi i Parlamentit është këtu dhe këtu nuk ka nevojë të bëjmë retorika politike, e para. E dyta, nuk ka asnjë procedurë të veçantë as për Kodin e Etikës, as për Rregulloren. Me të drejtë, ju radhën e parë ngritët një çështje që nuk ishte në kalendar dhe unë menjëherë nuk hezitova, por e nxora derisa të futej në kalendar, të lihej koha e domosdoshme…

Dhurata Çupi Tyli: …ligjin, se nuk keni bërë ndonjë nder.

Gramoz Ruçi: Për sa i përket drejtimit të seancës, ju lutem shumë, kushdo mund ta pretendojë, por në qoftë se jemi gjykatë për zbatimin e Rregullores, avokat për zbatimin e Rregullores, prokuror për zbatimin e Rregullores duhet të jeni ju që jeni këtu. Në asnjë nen dhe në asnjë rast nuk shkelet Rregullorja, përkundrazi, është shkelur në të gjitha rastet kur mblidhemi për të diskutuar, bie fjala, për energjinë dhe flasim për arsimin. Kjo është shkelje e Rregullores. Madje, në asnjë parlament demokratik, kudo dhe në mes të Amerikës, në Kongres, kemi qenë me deputetë të opozitës në Senatin amerikan, në Kongresin amerikan dhe kemi asistuar rastin kur i kaloi sekonda senatores 75-vjeçare, prraf…, iu ndërpre fjala. Shko në Parlamentin Europian… Bie zilja, ndërpritet fjala. Mos e quani diktat, është rregull universal dhe asgjëkundi nuk të lënë, në asnjë parlament demokratik, që teksa flitet për arrën, ti flet për bananen. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri…

Dhurata Çupi Tyli: Kjo ndodh këtë vit? Kjo ka ndodhur në 27 vjet!

Gramoz Ruçi: Edhe duhet lejuar? Unë nuk jam këtu…

Dhurata Çupi Tyli: Absolutisht, nuk duhet lejuar. E para, sot jemi jashtë rendit të ditës për këtë që po flasim…

Gramoz Ruçi: Unë nuk jam këtu të bëj atë që është bërë jashtë Kushtetutës, jashtë ligjit dhe jashtë rregullave demokratike që ka një parlament. E qartë? Pastaj, atje në sallën e Parlamentit zhvillojeni luftën politike si të doni. Unë mbaj mend që kam vlerësuar katër emra deputetësh për diskutimet e tyre gjatë pesë muajve: të parin, deputetin Spahia, më të riun, i cili foli dhe e zhvilloi opozicionin e tij brenda përmbajtjes së ligjit dhe e bëri shumë mirë; të dytin, Flori Mimën; të tretin Nasip Naçon, që e kemi këtu, dhe të katërtin, deputetin përsëri nga LSI-ja, profesorin Shezai Rrokaj. E qartë? Nuk kam thënë për asnjë deputet të maxhorancës. Kur them për këtë, për përmbajtjen e diskutimeve, nuk e kam thjesht për opozitën, por e kam parasysh për të gjithë deputetët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat