Ndryshon skema për pensionet, sa kontribute do paguhen

Shqipëria

Ndryshon skema për pensionet, sa kontribute do paguhen

Më: 13 mars 2018 Në ora: 07:40
Ilustrim

Grupi i punës në Ministrinë e Financave dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, kanë gati ndryshimet në ligjin 7703/1993, për skemën e pensionit të fshatit.

Ndryshimet parashikojnë që të vetëpunësuarit në bujqë- si, të kenë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi pagën minimale për ta, por kanë gjithashtu mundësinë të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi, nëse duan të përfitojnë një pension më të lartë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka nisur takimet me fermerët me qëllim ndërgjegjësimin për pagesat e kontributeve. Ndryshimet e ligjit parashikojnë ofrimin e dy shkallëve për pagesat e kontributeve të fermerëve, që nëpërmjet një VKM-je do të miratohen në qeveri.

Sot fermerët e zonave malore paguajnë 28 mijë lekë kontribute në vit për efekt pensioni. Ndërsa fermerët në zonat fushore paguajnë 34,800 në vit kontribute për efekt pensioni. Pjesa tjetër e kontributit subvencionohet nga shteti. Në rast se fermerët do të vazhdojnë të kontribuojnë në këtë masë, paga minimale mbi të cilën paguhet kontributi për efekt të llogaritjes së pensionit do të jetë sa gjysma e pagës minimale, pra, 12 mijë lekë.

Skema e dytë parashikon se, nëse fermerët zgjedhin të paguajnë 66 mijë lekë kontribute në vit sa të vetëpunësuarit në qytet, përfitojnë pension të llogaritur mbi pagën minimale. Pra, nëse fermerët do të paguajnë kontribute sa paguajnë të vetpunësuarit në qytet, do të përfitojnë të njëjtin masë pensioni.

Me këto ndryshime Ministria e Financave synon që përfitimi i raportit të pensionit të jetë në raport me kontributet që paguhen. Ndryshimet e skemës për pagesat e kontributeve nuk do të jenë detyruese, pasi fermerët kanë të drejtë të zgjedhin se sa kontribute do të paguajnë për efekt pensioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat