Arta Marku: Çështja “Tahiri” do të hetohet deri në fund

Shqipëria

Arta Marku: Çështja “Tahiri” do të hetohet deri në fund

Më: 16 mars 2018 Në ora: 14:51
Arta Marku

Kryeprokurorja Arta Marku pranon se çështja “Tahiri” mbetet një shqetësim i saj permanent. E pyetur nga gazetari Sokol Balla në emisionin e tij “Real Story” ajo tha se për këtë çështje ka takuar disa herë kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj i cili është në krye të grupit të hetuesve. “Që nga dita e parë që kam ardhur në këtë funksion çështja “Tahiri” është një nga shqetësimet e mia permanente. Unë kam pasur kontakte të shumta me kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që është drejtues në hetimin e kësaj çështjeje. Unë i kam shprehur atij që kjo çështje të hetohet deri në fund” – tha Marku. Por a ishte ekstradimi i “financierit” të bandës së Habilajve, Nezar Seiti në Itali një shkelje e ligjit dhe një pengesë për hetimin e çështjes “Tahiri”. Arta Marku “lan duart” duke u shprehur se procedurat janë zhvilluar kur ajo nuk kishte marrë këtë detyrë.

“Në lidhje me këtë çështje doja të sqaroja se ai u arrestua në 20 tetor 2017 pasi kishte një urdhër ndërkombëtar për të. Menjëherë pas urdhrit të ndalimit të tij, prokuroria e Katanias kishte sjellë dhe një kërkesë për ekstradim. Këto materiale i kanë kaluar prokurorisë së Tiranës e cila ka çuar çështjen në gjykatën e Tiranës e cila ka vendosur për ekstradimin. A është rastësi? Unë mendoj që po. Asnjëra nga palët nuk ka shprehur kundërshtim për këtë. Më pas çështja kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme e cila ia kaloi Ministrisë së Drejtësisë. Nuk kam lidhje me këtë vendimmarrje dhe procedurën e ndjekur pasi unë nuk kam qenë. A ka pasur shkelje? Ka një hetim nga prokuroria e Durrësit dhe ende nuk ka një konkluzion. Sapo ta kem një përfundim do ta bëj publik” – tha kryeprokurorja.

Marku u pyet sesi u ndje në seancën kur u zgjodh Kryeprokurore, ndërsa tha se nuk dua ta kujtoj atë moment. “Nuk dua ta kujtoj atë moment, por pala tjetër reagoi shumë keq, prisja të reagonin më institucionalisht”, tha Marku. Megjithëse drejtuesi i emisionit e pyeti për reagimin e opozitës në seancën e 18 dhjetorit, Kryeprokurorja zgjodhi të përdorë etiketimin pala tjetër, çka nënkupton opozitën. Dhe në një sallë Kuvendi ka dy palë, opozita dhe pozita. Nëse pala tjetër është opozita, atëherë pala me të cilën është Kryeprokurorja është mazhoranca. E pyetur në lidhje me vetingun, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, tha se askush nuk e ka kryer procesin e Vetingut dhe që është në proces. Marku shprehu bindjen se nga vetingu ata që nuk do e meritojnë të jenë pjesë e sistemit nuk do të jenë. Kryeprokurorja tha se nuk ndjehet aspak e komplekuar për shkak të mënyrës sesi është zgjedhur.

“Nuk kam pasur dhe nuk do të kem ndikim nga askush në punën time. Proçedurat e zgjedhjes nuk i caktoj unë, e përcakton Kushtetuta dhe ligji organik”, tha Marku.  Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, tha se lëvizjet e kryera në rradhët e prokurorëve janë bërë të studiuara, madje duke marrë edhe vlerësimet e opinionit publik. Marku tha se këto lëvizje nuk ishin vdekjeprurëse, thjesht janë lëvizje që kanë ndodhur dhe ndodhin. E pyetur për ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, Marku tha se ai është përfolur aq shumë sa nuk kam çfarë të them më shumë. Ndërkohë që shtoi se është ndjerë keq kur ka dëgjuar përfshirjen e emrit të Llallës në listën e zezë të SHBA.

“Jam ndjerë keq dhe besoj se keq do të jetë ndjerë çdo zyrtar i Shqipërisë”, tha Marku. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku është treguar e rezervuar të flasë për paraardhësin e saj në këtë detyrë, Adriatik Llalla. Ajo tha se e ka gjetur organin e akuzës me shumë probleme. “Nuk mund të them se nuk është punuar, por ka pasur gjëra që nuk ecnin. Kam vënë re se në disa çështje duhej të ishte ecur më shumë” – tha ajo në intervistën për Sokol Ballën në Vizion+. E pyetur për largimin e krerëve të prokurorive në rrethe të cilët ishin “të besuar” të Adriatik Llallës, Marku thotë se lëvizjet nuk janë të forta. “Lëvizjet kanë qenë të menduara mirë. Nuk janë bërë në nxitrim e sipër. Është marrë parasysh edhe opinioni në ato prokurori ku janë bërë lëvizje. Ju garantoj që nuk ka asnjë lidhje të lëvizjeve me paraardhësin tim.

Opinion për paraardhësit e mi? E kam një mendim, por nuk është etike të flas për ta. Adriatik Llalla? Kam një opinion edhe për të. Punën e tij e ka vlerësuar publiku. Unë e mbështes publikun” – tha Marku. Përsa i përket vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për t’i penguar hyrjen Llallës në SHBA dhe duke e akuzuar atë për korrupsion, Marku thotë se ka marrë sqarime nga ambasada e SHBA në Tiranë, por pa specifikuar nëse do të hapë një hetim. “Për heqjen e vizës nga ana e SHBA, jam ndier shumë keq, të them të drejtën. Është një vendim i rëndë aq më shumë që bëhet fjalë për paraardhësin tim. A po e hetoj Llallën? DASH nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Shqipëri është treguar i gatshëm të japë bashkëpunim për dhënien e drejtësisë. Edhe në këtë rast ka ofruar bashkëpunim dhe të dhëna. A do të hapet një hetim? Nuk mund të flas më tej për këtë çështje” – e mbylli Marku këtë temë.

Rrëfimi për familjen

E pyetur nëse ka pasur apo jo lobim për emërimin e saj në detyrën e Kryeprokurores, Marku tha se ka një karrierë 15-vjeçare dhe është përfshirë në garë duke menduar se plotësonte kriteret. Lidhur me seancën ku u zgjodh Kryeprokurore me 69 votat e PS-së, Marku theksoi se shpresonte në një reagim më institucional, duke shtuar se mënyra sesi është zgjedhur nuk do të ndikojë në përmbushjen e detyrës.

Marku tha se është aq e zonja sa të përballojë çdo situatë që mund të krijohet në përmbushjen e detyrës. Sipas Kryeprokurores, puna e Task Force është shkatërruar për shkak të lëvizjeve të shumta të prokurorëve. Marku tha se nuk mund të thoshte që nuk është punuar nga Prokurorët, megjithëse ngarkesën e madhe të krijuar dhe gjithë asaj që po kalohet për shkak të reformës në drejtësi.

“Ka pasur çështje që ishin bllokuar, jam përpjekur që t’i motivoj prokurorët dhe t’i shtyj që të merren edhe me çështje që janë pezulluar për arsye të ndryshme”, tha ajo. Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, tha se gjatë karrierës së saj nuk është ndjerë e kërcënuar apo të ketë pasur ndërhyrje. Marku tha se është sjellë me profesionalizëm dhe nuk është ngatërruar në çështje që mund t’i krijonin probleme në kryerjen e detyrës.

“Kam qenë pjesë e sistemit, kam parë gjërat nga afër, pavarësisht se s’kam qenë kurrë pjesë e tyre. i Kam provuar në kurriz, kam reaguar në mënyrën time, duke mbrojtur punën. Sistemi ka qenë i centralizuar dhe nuk ka qenë i lehtë”, tha Marku. Lidhur me akuzat në drejtim të saj, Marku theksoi se “nuk e kam parë në këtë prizëm, s’jam ndierë e mbrojtur apo e sulmuar jashtë mase prej askujt dhe isha e sigurt që asnjë gjë s’kishte lidhje direkte me mua, jam e bindur për këtë.  Secili ka kauzat e veta, ishte dicka përtej personales”.

Në rrëfimin e saj, i pari që pas marrjes së detyrës së Kryeprokurores, Marku tha se “vij nga një familje e thjeshtë, si shumica e familjeve shqitpare, me dy prindër të thjeshtë, babai ka qenë teknik i mesëm miniere, ndërsa mamaja ka qenë e papunë për pjesën më të madhe të kohës, deri pas viteve ‘90 ku si shumica e shqiptarëve filluan tregti. Kam edhe një vëlla dhe nje moter më të vogël. Familja ime e re, përbëhet nga unë bashkëshorti dhe dy vajzat, njëra 8 vjece dhe tjetra 14 muajsh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat