Patozi: Lulzim, me këto ide qesharake po i jep të shtyrën e fundit edhe atyre që...

Shqipëria

Patozi: Lulzim, me këto ide qesharake po i jep të shtyrën e fundit edhe atyre që...

Më: 16 mars 2018 Në ora: 19:54
Astrit Patozi

Ish deputeti Astrit Patozi ka ironizuar draftin e sjellë nga PD disa ditë më parë në lidhje me ndryshimin e datës së përkujtimit të viktimave të komunizmit, si një sjellje sa qesharake, aq edhe aspak serioze.

Përmes një statusi në rrjetin social, fillimisht Patozi flet për qeverisjen dhe raportin e OKB-së që e rreshton Shqipërinë ndër vendet me korrupsionin më të lartë. Patozi shkruan se Edi  Rama duket i pashqetësuar nga shifrat, ndërkohë që opozita në vend që të luftojë me të tilla kauza, merret me ndryshimin e datës së 20 shkurtit.

Një akt i tillë sipas Patozit tregon edhe një herë se Basha është i paaftë për të drejtuar dhe mbase, ashtu siç edhe Rama, një arsye më tepër që shqiptarët shohin... për t’u larguar sa më parë nga vendi i tyre.

PSE NUK PËRBËN MË LAJM KORRUPSIONI I EDI RAMËS?

Jemi te 20-tët nga fundi në botë për korrupsion, por ky lajm i zi duket se nuk përbën më ndonjë shqetësim në Shqipëri. Timonieri ynë vazhdon të mburret për sukseset e veta virtuale dhe çdo akuzë apo fakt e ka për kollaj ta konsiderojë si fjalë apo lloqe kazani. Megjithëse këtë radhë "sihariqi" vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila për klasifikimin botëror të korrupsionit ka pajtuar Gallup-in, një ikonë e sondazheve në gjithë globin.

Sipas testimit, 9 në 10 shqiptarë mendojnë se qeveria e tyre është e kurruptuar dhe ky perceptim ka ardhur duke u përkeqësuar në 5 vjetët e kryeministrimit të Edi Ramës. 

I bie që vetëm të stërmoshuarit, që ngrysin ditët e fundit pa dalë nga shtëpia, dhe foshnjet, që nuk kanë shkuar ende në kopësht, nuk e dinë që qeveria u fut përditë dorën në xhepat e tyre për t'i zhvatur.

Disa ditë më parë, Shqipëria kishte zbritur 8 shkallë në raportin vjetor të Transparency International, i cili mat indeksin botëror të korrupsionit, por edhe atëherë lajmi kaloi si pa u vënë re, a thua se bëhej fjalë për rënien e çmimit të patateve në Shishtavec.

Në fakt, ky është shpjegimi më i mirë i arsyes kryesore se përse njerëzit po largohen masivisht nga Shqipëria, pikërisht në ditën që Edi Rama, pa iu dridhur qerpiku, e konsideroi emigracionin e detyruar nga keqqeverisja e tij si një gjë pozitive për vendin.

Dhe kur të gjithë presin se çfarë do të thotë për këtë opozita, Lulzim Basha e ka ka gjetur zgjidhjen e kësaj gjendjeje të pashpresë tek ndryshimi i datës së përkujtimit të viktimave të komunizmit, që në finale zhvlerëson 20 shkurtin, ose më saktë ditën e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë.

E cila, edhe pse më duket një gafë shumë serioze, dëshiroj ta marr pak me të qeshur.

Po mirë mor, Lulzim, nuk të mjafton që ndahemi me PS dhe LSI për datën e Çlirimit të Shqipërisë? Duhet që edhe brenda Partisë Demokratike të kemi patjetër dy data për të përkujtuar viktimat e komunizmit? Po socialistët njësoj e kanë çfarëdo propozimi që t'u çosh, se ata nuk kanë ndonjë ndjeshmëri për krimet e diktaturës dhe për simbolet tona. 

Madje edhe po i bëre më shumë se dy data, të kënaqur më shumë do të jenë, sepse kjo e bën fare komik të gjithë debatin.

Problemi është të mos fyesh demokratët dhe te djathtët e tjerë për një çështje, që ka të bëjë me konstitucionin dhe historinë e tyre të vjetër dhe të re.

Por, mbi të gjitha, se duke bërë këtë lloj opozite, sa cinike, aq edhe qesharake, je duke u dhënë të shtyrën e fundit edhe atyre që e kanë ende me dy mendje për të braktisur ose jo përfundimisht Shqipërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat