Gjiknuri i kthen përgjigje opozitës për impiantin e djegies së mbetjeve Elbasan

Shqipëria

Gjiknuri i kthen përgjigje opozitës për impiantin e djegies së mbetjeve Elbasan

Më: 17 mars 2018 Në ora: 15:48
Ilustrim

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri i ka kthyer përgjigje akuzave të opozitës në lidhje me impiantin e djegies së mbetjeve me prodhim energjie në Qarkun e Elbasanit.

Gjatë një vizite në impiantin e Elbasanit, Gjiknuri tha se po përdoret fjala e fundit e teknologjisë dhe nuk ka ndikime në mjedis.

Damian Gjiknuri: “Do të ishte mirë që kushdo që do të ishte i interesuar të vinte e ta vizitonte këtë impiant, ta shikonte me sytë e tij që nuk ka as emetime dhe gjithçka këtu është brenda një procesi teknologjik të mbyllur pa probleme për mjedisin. Pra, le të themi është fjala e fundit e teknologjisë, një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri”

Ministri sqaroi se një impiant i tillë është duke u ndërtuar edhe në bashkinë e Fierit, ndërsa kryeqyteti po ndërton një të tillë për të trajtuar mbetjet e veta urbane.

Damian Gjiknuri: “Një gjë e ngjashme po ndërtohet në Bashkinë e Fierit për Qarkun e Fierit. Shumë shpejt edhe Tirana po avancon me procesin e saj, e cila është një kontratë krejt tjetër pasi është një kontratë e marrë përsipër plotësisht nga partneri privat ku bashkia paguan një kontribut financiar për volumin e mbetjeve që depozitohen aty"

Aktualisht, në impiantin e Elbasanit depozitojnë mbetjet e tyre urbane pa pagesë Bashkia e Elbasanit, ajo e Cërrikut dhe disa njësi administrative në Qarkut. Kapaciteti i impiantit është më i madh dhe është llogaritur të mbulojë mbetjet e të gjitha bashkive të Qarkut Elbasan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat