Në Shqipëri ka diçka që gratë janë një “hap” para burrave, ajo është...

Shqipëria

Në Shqipëri ka diçka që gratë janë një “hap” para burrave, ajo është...

Më: 20 mars 2018 Në ora: 10:12
Ilustrim

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar të dhënat e vëzhgimit të radhës për aksesin financiar sipas gjinisë në rang global.

Nga 104 banka qendrore që plotësuan pyetësorët, vetëm 26 dhanë të dhënat e agreguara sipas gjinisë. Për herë të parë në këtë sistem të dhënash është përfshirë dhe Shqipëria, me informacionin e vitit 2016. Rezulton që femrat në Shqipëri kanë akses pothuajse të njëjtë me burrat si në numrin e depozituesve ashtu dhe llogaritë që zotërohen nga femrat.

Ndërsa surprizë është fakti që gratë në Shqipëri kanë marrë më shumë kredi sesa burrat, të paktën në numër.
Sipas FMN-së, numri i femrave që kishin në depozitë në Shqipëri ishte 1,219,198, ose 48% e totalit.

Numri i llogarive të depozitave që zotëroheshin nga gratë ishte 1,928,419, ose 49% e totalit.
Numri i femrave huamarrëse ishte 190,741, ose 53% e totalit.
Numri i llogarive të kredive që zotërohen nga femrat ishte 309,530 ose 61% e totalit. Raporti nuk jep të dhëna sipas shumës, pra nëse shuma e marrë hua nga gratë është më e lartë sesa nga burrat, por gjithsesi përsa i përket numrit të llogarive të kredive, dominimi është i dukshëm.
Në Kosovë, pjesmarrja e grave në sistemin financiar është shumë e ulët, ato kanë 35% të llogarive të depozitave dhe 26% të llogarive të kredive.
Për vendet e tjera të rajonit nuk ka informacion. Ndërsa nga 26 vendet që kanë dhënë informacionit, Shqipëria mban rekord për peshën më të lartë të llogarive të huave që zotërohen nga femrat. I dyti më i lartë nga vendet, që kanë raportuar është Brazili, me 53%.
Edhe për peshën e depozitave Shqipëria është një nga vendet me peshën më të lartë të zotëruesve femra.
FMN thotë se ndërsa pesha mesatare e femrave depozituese dhe huamarrëse në vendet që kanë raportuar të dhënat sipas gjinisë në vitin 2016 ishte rreth 40 për qind, të dhënat gjithashtu raportojnë diferenca të dukshme mes vendeve. Ky ndryshim, thotë FMn mund të lidhet me diferencat mes vendeve përsa i përket pjesëmarrjes në tregun e punës.
FMN thotë se këto të dhëna duhet të shërbejnë për të përqendruar vëmendjen në politika që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e hendekut gjinor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat