“Hetimi për inceneratorët, po kur Rama donte të sillte plehrat kimike, ku ishte Petrit Vasili?”

Shqipëria

“Hetimi për inceneratorët, po kur Rama donte të sillte plehrat kimike, ku ishte Petrit Vasili?”

Më: 20 mars 2018 Në ora: 11:59
Edi Rama dhe Petrit Vasili

Është gjithmonë e virtytshme kur një parti politike bën publike shqetësime që lidhen me ambientin. Por duhet në këtë drejtim, si në çdo debat tjetër publik, konsekuencë dhe rigorozitet. LSI-ja, në daljen e saj të fundit nëpërmjet Petrit Vasilit, nuk u shqua as për të parën dhe as për të dytën.

NGA HESHTJA MBI ARMËT KIMIKE, TEK INDINJATA PËR INCENERATORËT

Debati i hapur në fundjavë nga zyrtari i lartë i LSI-së shigjetoi impiantet e djegies së plehrave, inceneratorët, si vatra kanceri sipas tij, që duhen të tërheqin vëmendjen e drejtësisë dhe të dënohen. LSI-ja ka qenë, megjithatë në një të kaluar jo shumë të largët, bashkudhëtare e heshtur e vendimeve me antiekologjike të dy partive qeverisëse, PD dhe PS. Nën “udhëheqjen” si të Sali Berishës, edhe të Edi Ramës, jo vetëm që s’u shqetësua kush në qeveri se ç’rol luanin inceneratorët mbi shëndetin publik, por sfidimi i sigurisë sanitare të shqiptarëve u bë edhe më ulëritës, me ligje e projektligje skandaloze pro importeve të plehrave.

Në politikë duhet të jesh konstant. Ndodhin sigurisht shmangie nga kursi politik dhe ideologjik, pasi vetëm “budallenjtë” nuk ndërrojnë mendim. Por në këtë rast, as njerëzit të mos merren për budallenj. Para kthesave 180 gradë, nuk do të ishte e tepërt për një parti politike të shfaqte pendesë për verbërinë gjatë viteve në pushtet. Dhe verbëri të tilla, LSI-ja ka plot në “magazinë”. Veçanërisht në momentin e tradhtisë që Rilindja e Edi Ramës u bëri shqiptarëve që në krye të mandatit të parë të saj, kur u përpoq t’i impononte vendit pa asnjë debat zbarkimin e tonelatave me armë kimike dhe kanceroze siriane.

Nuk e dëgjuam asaj kohë Petrit Vasilin të “bante zë” kundër asaj aventure të maxharancës ku bënte pjesë partia e tij. Përkundrazi, kryetari i LSI-së, si për ta pastruar sadopak ndërgjegjen, u mjaftua me deklaratën as mish as peshk se për armët kimike “do marrim përgjegjësi aq sa na mbajnë supet”. Domethënë, plehrat kimike le të futeshin, por qeveria ta bënte me karar. A thua se kanceri nga helmet që thithin njerëzit është thjesht një variabël sasish.

NJË QASJE SIMPLISTE DHE DEMAGOGJIKE

E megjithatë, kjo s’e pengon Petrit Vasilin sot të luajë rolin e ekspertit të kancereve që shkaktohen nga avujt e djegies së mbetjeve në inceneratorë. Pa e kuptuar se e rëndon dhe më shumë rastin e tij. Kur nuk je i fushës, më e pakta që i kërkohet politikanit është që të mirinformohet, ta punojë me rigorozitet dosjen që ka në duar përpara se të prononcohet. Për të justifikuar sulmin me top të kalibrit të rëndë kundër inceneratorëve, Petrit Vasili u mbështet te një rast i ditëve të fundit në Francë, ku drejtësia dënoi një impiant të tillë në afërsi të Parisit.

Mënyra sesi e shfrytëzon këtë ngjarje zyrtari i LSI-së, lë për të dëshiruar. Jo, Franca nuk ka dënuar inceneratorët dhe nuk ka për ta shndërruar të paligjshme këtë metodë të eliminimit të mbetjeve sepse metoda të tjera më optimale sot për sot nuk ka. Drejtësia franceze thjesht dënoi me gjobë dhe me shumë vonesë një ish-incenerator që është i mbyllur tashmë prej më shume se 15 vjetësh, për mosrespektim të normave në lëshimin e gazrave në atmosferë. Interpretimi naiv që i bën Petrit Vasili këtij vendimi të drejtësisë franceze, është sikur të pretendosh se meqenëse policia ndalon të qarkullojnë makinat që ndotin jashtë mase, një vend ka vendosur të ndalojë të gjitha automjetet me karburant. Është për t’u lavdëruar sensibilizimi ekologjik që po ndërmerr LSI-ja, por kjo nuk mund të bëhet duke karikaturuar me arsyetime simpliste përvoja në vende që janë më të përparuara në këtë drejtim.

A KA PROGRAM AMBIENTALIST LSI-JA?

Çfarë propozon konkretisht LSI-ja sot, përveç mesazhit subliminal të Petrit Vasilit që u kërkon prokurorëve të hetojnë mbi inceneratorët në vend? Si parti e pranishme në Kuvend dhe ish-e pranishme tetë vjet rresht në qeveri, LSI-ja duhet të tregohet më profesioniste në pasqyrimin e realitetit të ndotjes në Shqipëri me fakte e statistika, si dhe në formalizimin e alternativave të kthjellëta për një Shqipëri më të pastër.

A është në gjendje LSI-ja të hartojë raporte e të informojë opinionin publik se sa inceneratorë operojnë sot në Shqipëri, se në ç’masë normat teknike që përmban ligji në lidhje mbi inceneratorët (nëse ka vërtet një legjislacion të tillë) respektojnë sigurinë dhe shëndetin e njerëzve, apo fare konkretisht, ku ndodhen inceneratorët për të cilët LSI-ja ka dyshime serioze se po “vrasin” ambientin dhe banorët që jetojnë përreth? Vendimi i drejtësisë në rastin francez, që zoti Vasili e merr gjatë si alibi, nuk ra nga qielli.

Ai ishte rezultat i denoncimit të vazhdueshëm dhe mbledhjes metodike të provave tekniko-sanitare nga banorët dhe nga shoqatat ambientaliste ndaj një impianti shumë të vjetër (ndërtuar më 1974), që lëshonte gazra më përmbajtje dioksinë 2200 herë më të lartë se normat në fuqi. A është e aftë LSI-ja, përtej diskurseve të bukura dhe “ndenjave të mira”, të implikohet dhe ajo konkretisht në terren për të asistuar viktimat e ndotjeve në Shqipëri në mbledhjen e provave dhe në hapjen e proceseve gjyqësore si në Francë?

Ky shokim që ka kapur zotin Vasili nga ndotja e rëndë që shkaktojnë inceneratorët në Shqipëri dhe nga pasiviteti i drejtësisë dhe i qeverisë, a mund ta çojë atë si kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së, të kërkojë pa humbur kohë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë çështje? Pasi, fundi i fundit, deputetët për këtë janë zgjedhur, për të debatuar në Parlament për çështje që i konsiderojnë si vitale për elektoratin. Dhe së fundi, por me e rëndësishmja, çfarë programi afatgjatë ka LSI-ja për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri meqenëse është ajo që po e rihap papritur ketë debat, duke u nisur jo nga aktualiteti shqiptar, por nga ai francez?

Shkurt, qart, a premton LSIja se do t’i ndalojë me ligj inceneratorët po erdhi në fuqi? Nëse po, kjo shtron problemin e riciklimit masiv të mbetjeve. Çfarë masash konkrete parashikon kjo parti që të detyrohen shqiptarët që të bëjnë seleksionimin e mbetjeve, në mënyrë që mos të jetë e nevojshme të asgjësohen? Ky opsion mbetet megjithatë një utopi. Edhe sikur të arrihet një ndërgjegje dhe metodë seleksionimi e një niveli të lartë në shkallë vendi, ç’do të bëhet me ato mbetje që nuk janë të riciklueshme? Nëse LSI-ja s’preferon djegien, mbetet vetëm groposja.

Por a është menduar të pyetën një ditë qytetaret nëse pranojnë të kenë në afërsi të tyre jo një incenerator, por qindra hektarë (nën)tokë, të pushtuara nga plehra të pariciklueshme, të cilat pashmangshmërisht do të ndotin me kalimin e kohës burimet e nëndheshme të ujit të pijshëm? Debati mbi ambientin nuk është aspak nga më të thjeshtit, ndaj ai nuk duhet të reduktohet në statuse propagandiste në “Facebook”. Kjo vërejtje vlen sidomos për ato parti që kane sot privilegjin t’i shpalosin këto tema më forcën dhe pasionin e duhur në Kuvendin e shqiptarëve.

Asgjë nuk e pengon LSI-në ta bëjë një gjë të tillë. Në vend t’i shpërdorojë këto tema madhore në “Facebook” në orët e mëngjesit të një të diele, Petrit Vasili duhet ta kuptojë se ka metoda më serioze për t’i shërbyer kësaj kauze kaq fisnike, siç është ekologjia. Mbi të gjitha, duhet të këtë një reflektim, një plan pune paraprak më të thelluar sesa të mjaftohesh me kopjimin e disa axhansave se ç’po ndodh me inceneratorët në Francë apo gjetiu.

Të duash të qeverisësh, është të parashikosh masa konkrete dhe programe serioze në vendin tënd për qytetarët e tu. Të duash të qeverisësh, të imponon po ashtu të mbështetësh mbi specialiste. Si ish-ministër i Drejtësisë, z. Vasili ka hapësirë të bollshme të merret me këtë fushë ku sfidat janë të shumta. Ndërsa për ambientin, LSI-së, ashtu si dhe të gjitha partive që kanë ushtruar pushtët, u lipset të gjëjne kredibilitet me figura që kanë dhënë prova dhe me akte konkrete në terren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat