Burg të përjetshëm për Denis Shtrazën

Shqipëria

Burg të përjetshëm për Denis Shtrazën

Më: 20 mars 2018 Në ora: 12:45
Denis Shtraza

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me burgim të përjetshëm Denis Shtrazën, sipas gjykatës ai gjendet fajtor për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në muajin Janar të vitit 2016 në qytetin e Durrësit. Në seancën e djeshme, avokati i tij Neshat Fana, paraqiti konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar pafajësinë e klientit të tij, pasi nuk ka prova të cilat e implikojnë atë direkt me ngjarjen.

Për vrasjen e Çollakut, ishte akuzuar dhe ish-oficeri i policisë, Ervin Dalipaj. Për këtë të fundit pushoi gjykimi pas ekzekutimit të tij në muajin Prill të vitit 2017, tek mbikalimi i Sukthit. Kujtojmë se Dalipaj, para se të ekzekutohej ishte i shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, rezulton se Çollaku u rrëmbye nga të paktën katër persona në parkingun e një lokali pranë Portit të Durrësit. Ndërsa u gjet ditën tjetër i pajetë, me një plagë plumbi në kokë dhe gjymtyrë të lidhura, i hedhur në anë të një rruge në zonën e Fushë-Krujës. Në seancën e djeshme, trupi gjykues, në bazë të provave të paraqitura nga ana e prokurorisë e gjeti fajtor Shtrazën si një nga autorët e rrëmbimit dhe më pas vrasjes makabre të Çollakut.

Gjyqtarët në vendimin e tyre argumentuan se, njollat e gjakut të gjetura në makinën tip “Mercedes Benz ML”, me të cilin në atë kohë, 3 apo 4 orë pas vrasjes kanë udhëtuar Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza, janë të viktimës Çollaku. E në kushtet kur Dalipaj, nuk kishte pasur kontakte të mëparshme me Çollakun, njollat e gjakut në mjet, rezulton se janë bërë ose nga mjetet me të cilat është goditur, qëlluar, lidhur apo mbështjellë Çollaku, ose nga ndonjë kontakt tjetër fizik. Ndërsa shtojnë se, ky mjet nuk është përdorur për rrëmbimin e viktimës, por për ta transportuar atë pasi ka ndodhur vrasja. Kujtojmë se, procesi gjyqësor ndaj Shtrazës, zgjati pasi shumë prej seancave u shtyn nga mungesa e mbrojtësit, deri në momentin që, familjarët e Shtrazës gjetën një tjetër avokat për të mbrojtur interesat e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat