Taksa të larta dhe korrupsion, biznesi amerikan publikon indeks negativ për Shqipërinë, Lu kërkon 'klimë'

Shqipëria

Taksa të larta dhe korrupsion, biznesi amerikan publikon indeks negativ për Shqipërinë, Lu kërkon 'klimë'

Më: 22 mars 2018 Në ora: 14:15
Donald Lu

Indeksi i Biznesit të Dhomës Amerikane, një tregues që publikohet çdo vit dhe mat perceptimin e anëtarëve lidhur me ambientin për të bërë biznes në Shqipëri, është përkeqësuar sërish këtë vit, pas përmirësimit të vitit të kaluar.

Sipas rezultateve zyrtare,  Indeksi i biznesit ka shënuar një ulje të lehtë prej 1.33 pikësh, nga 43.78 në vitin 2016 në 42.45 në vitin 2017.

Sërish, anketimi i zhvilluar për Indeksin e Biznesit tregon se anëtarët e Dhomës Amerikane mbeten të shqetësuar për nivelin e taksave, burokracinë qeveritare, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, gjetjen e stafeve të kualifikuara vendase dhe nivelin e informalitetit. Këto kanë qenë edhe për këtë Indeks Biznesi pesë shqetësimet kryesore. Një perceptim aspak pozitiv kanë patur bizneset anëtare të Dhomës Amerikane gjatë vitit 2017 edhe për klimën e brendshme politike, e cila ka rënë me 5.08 pikë si dhe për sigurinë në vend që ka pësuar rënie me 2.37 pikë.

Duke folur për rezultatet e Indeksit të Biznesit, Ambasadori Lu tha: “Ulja e lehtë e Indeksit këtë vit konfirmon se mbetet akoma shumë për t’u bërë, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Legjislacioni, taksat dhe sistemet rregullatore duhet të nxisin një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të drejtë”.

Ambasadori Lu u shpreh optimist përpara anëtarëve se, duke punuar së bashku ne mund të kapërcejmë sfidat e momentit dhe të punojmë drejt një qëllimi më të madh, të bazuar në interesat dhe vlerat tona të përbashkëta.

Zgjedhjet e reja

Dhoma Amerikane e Tregtisë njofton se ka organizuar zgjedhjet për Zëvendëspresident, Përgjegjës për Thesarin dhe Sekretar, si dhe për një Anëtar Bordi, duke sjellë kështu katër anëtarë të rinj në Bord.

Ky proces ka përfshirë në konkurrim dhjetra kompani prestigjioze të Dhomës dhe një shumicë të ndjeshme të kompanive amerikane.

Kështu për pozicionin e Zëvendëspresidentit kandiduan Philip Morris Albania dhe Microsoft Albania, mes të cilëve fitues ishte Philip Morris, për Përgjegjës për Thesarin DDB Albania dhe Grant Thornton, nga i cili doli fitues DDB Albania, për Sekretar Hilton Garden Inn dhe për pozicionin vakant të një Anëtari Bordi kanë kandiduar 8 kompani të mëdha. Në përfundim të këtij konkurrimi doli fitues Optima Legal & Financial.

Me vendim të Bordit të Dhomës dhe më pas me miratim në Asamble, Dhoma Amerikane ka bërë disa ndryshime në Statut, të cilat ulin numrin e Anëtarëve të Bordit të Dhomës nga 11 anëtarë në 7 anëtarë, si dhe ulin numrin e mandateve për çdo Anëtar Bordi dhe të kompanive që ata përfaqësojnë nga tre në dy mandate të njëpasnjëshme.

Asambleja ka qenë një moment i reflektimit të perceptimit që kanë anëtarët e Dhomës Amerikane për klimën e biznesit në vend. Rezultatet e Indeksit të Biznesit 2017 – 2018, janë prezantuar në Asamble me të gjithë treguesit që masin besimin që kanë kompanitë anëtare të Dhomës Amerikane në lidhje me parametrat kryesore të klimës së biznesit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat