Rama për Financial Times "BE të hapë negociatat"

Shqipëria

Rama për Financial Times "BE të hapë negociatat"

Më: 23 mars 2018 Në ora: 15:28
Ilustrim

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, në një intervistë për të përditshmen Financial Times, ka kërkuar nga Komisioni Europian fillimin e bisedimeve për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian, si pjesë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar sigurinë europiane.

Edi Rama: "Do të ishte shumë e çuditshme nëse Shqipëria nuk do të fillonte menjëherë negociatat, pasi ka bërë ekzaktësisht çdo gjë që i është kërkuar të bëjë. Ajo që duam ne tani, është thjesht të shpërblehemi për atë që bëmë dhe që procesi të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm."

Në artikullin e Financial Times, kryeministri thekson se Shqipëria ka punuar fort në "luftën kundër krimit" duke folur për një progres mbreslënës në uljen e kultivimit të kanabisit dhe numrit të vrasjeve, ndërsa përsa i përket reformës në sistemin e drejtësisë, ai pranon se "lufta kundër korrupsionit është një betejë e përhershme. Por një fushatë kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, ka sjellë tashmë rezultatet e para.

Edi Rama ka deklaruar se do të ishte çmenduri për Bashkimin Europian nëse do të dështonte të përfshinte një rajon në qendër të rrugëve të emigracionit e të cilit ia ka "vënë syrin" Rusia si një çmim strategjik.

Edi Rama: "Moska asnjëherë nuk ka hequr dorë nga vlerësimi i rëndësisë gjeografike të rajonit, gjë që nuk shihet nga shumë në BE, me përjashtim të kancelares gjermane Angela Merkel. Është çmenduri të mendosh se Ballkani Perëndimor mund të lihet mënjanë, le pastaj jashtë Europe"

Marrëveshja me Greqinë për detin është një tjetër çështje, për të cilën kryeministri Edi Rama është shprehur optimist për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda muajve të verës.

"70 vjet histori nuk do të jenë më pengesë për rrugën drejt së ardhmes"-ka thënë ai. 

Intervistën për gazetën "Financial Times" kryeministri e ka dhënë gjatë vizitës që zhvilloi në Bruksel. Ndërkohë, në muajin Maj, liderët e bllokut do të takohen me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor, në një samit të veçantë në Sofie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat