Qeveria kërkesë Strasburgut: Ktheni 89 dosjet që keni në shqyrtim

Shqipëria

Qeveria kërkesë Strasburgut: Ktheni 89 dosjet që keni në shqyrtim

Më: 23 mars 2018 Në ora: 20:40
Mbledhja e qeverise- Shqiperi

Për të shmangur gjobëvënien e mëtejshme të Gjykatës së Strasburgut dhe dëmin që këto fatura të majme i shkaktojnë arkës së shtetit, qeveria shqiptare ka drejtuar “lutjen” e radhës.

Përmes një shkrese që mban datën 22 dhjetor të vitit që shkoi, Avokatura e Shtetit ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut që të vlerësojë mekanizimin e ngritur nga pala jonë për kompensimin e pronarëve, duke e cilësuar këtë skemë në përputhje me direktivat e dhënë nga kjo gjykatë në vendimin pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.

Jo vetëm kaq, në dokument është ripërsëritur edhe një herë kërkesa për kthimin për gjykim në vendin tonë të 89 çështjeve që janë klasifikuar për t’u marrë në shqyrtim nga Strasburgu. Kthimi pas i këtyre dosjeve do të thotë vlerësim i tyre përmes formulës së parashikuar në ligjin e ri.

Një praktikë e tillë pa diskutim do të ishte humbje për pronarët dhe “fitore” për Qeverinë, pasi fondi që do të duhej për kompensimin e këtyre familjeve, do të ishte shumë herë më i ulët në raport me vlerën që mund të vinte e faturuar nga Gjykata e Strasburgut.

”Qeveria shqiptare me anë të ligjit Nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit” dhe ndryshimeve të fundit të akteve nënligjore ka ngritur një mekanizëm efektiv të brendshëm, i cili adreson shkeljet e gjetura nga gjykata në vendimin pilot ‘Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë’.

Qeveria i kërkon edhe një herë gjykatës: Të vlerësojë mekanizimin e ngritur nga qeveria shqiptare me anë të ligjit të ri si një mekanizëm efektiv të brendshëm. Së dyti, të nxjerrë jashtë nga lista e shqyrtimit të gjitha çështjet e përfshira në listë bashkëlidhur këtij parashtrimi”, thuhet në shkresën që mban firmën e Avokates së Shtetit, Alma Hicka.

KËRKESAT

Disa muaj më parë, qeveria shqiptare i është drejtuar GJNDNJ, duke kërkuar nga kjo e fundit që të mbështesë skemën e re që ka nisur të zbatohet pas zyrtarizimit të ligjit të ri. Qëllimi kryesor ka qenë, që çështjet që janë depozituar atje, të kthehen për gjykim në vendin tonë. Aktualisht, janë 89 dosje për të cilat Strasburgu pritet të dalë me një vendim për secilën prej tyre.

E gjendur përballë kërkesës së palës shqiptare, Strasburgu ka kërkuar nga përfaqësuesit ligjore të të gjithë këtyre pronarëve që të japin qëndrimin e tyre. Por avokatët kanë kundërshtuar me argumentin se skema e re cenon interesat e pronarëve. E gjendur në këtë dualitet, Strasburgu në datën 27 tetor të 2017 ka kërkuar nga qeveria shqiptare të paraqesë komente dhe observime në lidhje me zhvillimet e reja dhe analizën e legjislacionit pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese brenda datës 22.12.2017.

Në limitet e afatit, qeveria i është përgjigjur duke i servirur argumente shtesë, por pa hequr dorë nga kërkesa fillestare që kjo gjykatë të nxjerrë nga lista e shqyrtimit të 89 çështjet e pranuara më herët, të listuara edhe në tabelën përbri.

Përfaqësuesit ligjorë të familjeve pronare në mënyrë unanime sërish kanë kundërshtuar, duke paraqitur para gjykatës argumentin se mënyra sesi bëhet sot vlerësimi dhe më pas kompensimi i pronarëve, është e mbështetur në pikën 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit të ri, të cilat Gjykata jonë Kushtetuese i ka shfuqizuar.

FATURA

Edhe pse ka dy vite që ka nisur të zbatohet, ligji i ri i pronave ende nuk e ka kaluar sprovën finale, që është ajo për marrjen e aprovimit nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Përgjatë kësaj periudhe kjo gjykatë ka marrë vendime duke u bazuar në hartën me çmimet e trojeve në 2008-n dhe me zërin kadastral që prona ka aktualisht dhe jo në kohën e konfiskimit, sikundër e përcakton formula e re.

Kjo ka bërë që vit pas viti buxheti i shtetit të përballet me fatura të kripura, që në vonesë ekzekutimi, do t’i rëndonin edhe më shumë financat duke qenë se aplikohen penalitete. Sipas Avokates së Shtetit, Alma Hicka, për 103 dosjet e klasifikuara fatura shkon mbi 822 milionë dollarë, shkruan Panorama.

“Kosto aktuale për vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, për të cilat ka detyrim shteti shqiptar është një total prej 4.417.500 eurosh. Aktualisht, shtetit shqiptar i janë komunikuar dhe janë në shqyrtim pranë kësaj gjykate 224 çështje.

Vlera financiare e pretenduar nga kërkuesit për 103 çështje, të cilat janë klasifikuar, sipas çështjeve pilot ‘M.Puto kundër Shqipërisë’ dhe ‘Luli dhe të tjerë kundër Shqipërisë’, është 822.364.481 euro, ndërsa për çështjet e tjera kjo vlerë përcaktohet rast pas rasti në momentin kur palët paraqesin kërkesat e tyre për shpërblim të drejtë”, thuhet në dokumentin që Hicka i ka dërguar ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat