Sa shumë kushton argëtimi në Tiranë! Si krahasohemi me fqinjët për kostot e jetesës

Shqipëria

Sa shumë kushton argëtimi në Tiranë! Si krahasohemi me fqinjët për kostot e jetesës

Më: 9 prill 2018 Në ora: 08:47
Ilustrim

Në rast se një individi nga Tirana do të shpërngulej sot në një nga vendet e rajonit, në Prishtinë, Shkup ose Sarajeve, kostot e jetesës do të ishin më të lira se në Tiranë. Ndërsa në Beograd dhe Podgoricë jetesa do t’i kushtonte më shtrenjtë, sipas të dhënave të mbledhura nga portali që krahason kostot e jetesës në vende të ndryshme të botës, expatistan.com.  Kostot e jetesës janë një shumatore e kostove për ushqim, strehim, veshje, transport, përkujdesje personale dhe për argëtim. Krahasuar me Tiranën, Prishtina është rreth 18 për qind më i lirë.

Për t’u veshur në Prishtinë, një individ nga Tirana do të shpenzonte 19 për qind më pak, për t’u ushqyer 9 për qind, për strehim 1 për qind, për transportin 18 për qind, për kujdesin personal do të shpenzonte rreth 27 për qind më pak se në Tiranë, ndërsa për argëtim shpenzimet gati do t’i përgjysmoheshin  me 49 për qind më pak.

Qyteti i dytë ku kostot e jetesës janë më të ulëta se në Tiranë është Shkupi, ku ushqimi është 8 për qind më lirë, strehimi 11 për qind, veshjet kushtojnë 19 për qind më pak, dhe kujdesi personal së bashku me argëtimin kushtojnë përkatësisht 28 dhe 23 për qind më pak. Ndërsa sipas të dhënave të portalit, transporti në Shkup është rreth 10 për qind më i shtrenjtë se në Tiranë.

Kryeqyteti i tretë më i lirë se Tirana është Sarajeva. Në Sarajevë shpenzimet janë më të ulëta për veshje, kujdes personal dhe argëtim, me përkatësisht 13, 12 dhe 28 për qind. Ushqimi dhe strehimi kushtojnë më shumë se në Tiranë. Për t’u ushqyer në Sarajeve do të duhen rreth 6 për qind më shumë para se në Tiranë, ndërsa për t’u strehuar rreth 8 për qind më shumë.  Kostot e transportit janë të njëjta.

Por Tirana është më e lirë për sa i përket kostove të jetesës krahasuar me Beogradin dhe Podgoricën, me rreth 6%.

Strehimi në Beograd është rreth 30 për qind më i shtrenjtë, ndërsa transporti 23 për qind. Ushqimi dhe veshja është përkatësisht 6 dhe 10 për qind më shtrenjtë se në Tiranë. Ndërsa për sa i përket kujdesit personal dhe argëtimit, në Beograd një individ nga Tirana  17 dhe 23 për qind më pak.

Edhe Podgorica është më e shtrenjtë se Tirana. Më shumë ndikojnë kostot për ushqim, strehim dhe transport, ku një individi nga Tirana do t’i duhen përkatësisht 27, 18 dhe 14 për qind më shumë para. Ndërsa do të shpenzojë më pak për veshje (7%), për përkujdesjen personale (11%),  dhe argëtim (23%).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat