Vettingu rrëzon gjyqtarin, Trezhnjeva ishte kandidat për KLGJ

Shqipëria

Vettingu rrëzon gjyqtarin, Trezhnjeva ishte kandidat për KLGJ

Më: 13 prill 2018 Në ora: 17:30
Besim Trezhnjeva

Pas kontrolleve të vettingut, gjyqtari i apelit Durrës Besim Trezhnjeva u shkarkua nga detyra.

Gjyqtari i cili e ka nisur karrierën e tij para viteve ‘90 ngeli në provim për shkak të pasurive, burimi i të cilave nuk është i justifikuar. Por vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i formës së prerë, ndërkohë që avokatët do ta kundërshtojnë në shkallën e dytë që është Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjyqtari i Durrësit i cili ishte i pranishëm në seancën dëgjimore, mungoi gjatë shpalljes së verdiktit.

“Vendimi na u duk krejtësisht i padrejtë, i parregullt. Vetëm hetim të thelluar administrativ nuk kishte. Këto janë precedente për gjyqtarët e tjerë, sepse kur nuk pranohen në shifra të ndryshme në 4 hetime të ndryshme një ekspertim, atëherë vetëm objektivitet këtu nuk ka”, tha avokati i tij Fatmir Braka.

Trezhnjeva i cili është i dyti që nuk e kalon provën e vettingut, ishte kandidat për në Këshillin e Larte Gjyqësor . Ndryshe nga gjyqtari Fatos Lulo largimi i të cilit la me pesë anëtarë Gjykatën Kushtetuese, çështja Trezhnjeva e ka futur në rreth vicioz ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Trezhnjeva së bashku me gjyqtarët e Apeleve Tirane Nertina Kosova dhe Ilir Toska garojnë për të fituar një vend në këtë institucion të rëndësishëm të reformës në drejtësi, për të përfaqësuar shkallën e dytë të gjyqësorit.

Por ligji kërkon që në këtë garë njëri nga kandidatët e Apeleve duhet të jetë nga rrethet sikurse ishte ishte Besim Trezhnjeva. Përsa kohë konsiderohet i papërshtatshëm ai tashmë nuk është më gjyqtar apeli. Por ligji nuk e ka parashikuar një situatë të tillë për garuesit që synojnë institucionin që do të qeverisë gjyqtarët.

Një vit më parë thirrja për këtë proces u lëshua nga Gjykata e Lartë dhe pas mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve u shpallën 14 emra gjyqtarësh nga të gjitha nivelet prej të cilëve duhet të fitojnë vetëm gjashtë. Tashmë në këtë listë kanë mbetur 13 anëtarë dhe vendi i lënë bosh nga Trezhnjeva ngre pikëpyetje se si do të zhvillohet procesi për zëvendësimin e këtij garuesi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor do ketë 11 anëtarë dhe përveç kontrollit në gjyqësor ka kompetenca edhe të vulosë vazhdimin në detyrë edhe të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda që do kalojnë vettingun dhe që më pas do jenë gjyqtarët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është gjykata e re që shpresohet të gjykojë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat