Vettingu bëhet një “ëndërr e keqe” policësh

Shqipëria

Vettingu bëhet një “ëndërr e keqe” policësh

Më: 13 prill 2018 Në ora: 18:14

Nëse këto ditë ju ka rastisur të shihni prezencë të shtuar efektivësh policie nëpër bankat e nivelit të dytë, mos mendoni se ka ndodhur ndonjë grabitje.

Ata ndodhen aty njësoj si ju, presin në radhë për të marrë dokumentacionin e nevojshëm për pagën e llogaritë bankare, që u duhet ta deklarojnë për shkak të vetingut që tashmë ka nisur.

Por nëse ne, qytetarët e thjeshtë, mund ta kemi luksin të presim në radhë, efektivët e Policisë e kanë kohën shumë më të kufizuar. Ligji i vetingut u ka dhënë vetëm 1 muaj kohë për të kryer të gjitha procedurat e nevojshme, në funksion të plotësimit të 3 formularëve që do vërtetojnë:

Pastërtinë e figurës, pasurinë dhe aspektin profesional. Por a mjafton një muaj për të gjetur dokumente e prova, që për ata me një karrierë të gjatë në Polici janë pluhurosur ndër vite e mbase edhe mund të mos ekzistojnë? Vetë ata e konsiderojnë si një mision të pamundur.

Ndërsa disa nën zë pohojnë se e kanë menduar si një mundësi edhe largimin nga Policia. Kjo, jo se kanë frikë nga vetingu, por nga dyshimet se nuk do jenë në gjendje të gjejnë në kohë dokumentet që u duhen. Për disa prej tyre, shtëpitë, makinat, arsimimi i fëmijëve, janë produkt i një pune të gjatë e kursimeve familjare.

Por siç thonë ata: “Kush e ka menduar se duheshin ruajtur të gjitha borderotë, faturat, aktet noteriale, që edhe mund të kenë humbur…” Por të gjitha këto, sot u duhen dhe orvaten institucioneve për t’i gjetur, duke u përballur me burokracitë që këtu na ndodh rëndom t’i ndeshim.

Që ka punonjës policie të korruptuar, të lidhur edhe me krimin, që kanë bërë favore për shkak të detyrës, këtë e kemi thënë me qindra herë. E pranon edhe vetë Ministria e Brendshme, në relacionin që shoqëronte ligjin e vetingut. E kanë thënë edhe ambasadorët, edhe përfaqësues të partive politike, madje edhe vetë qytetarët që vazhdimisht ankohen.

Për këtë arsye vetingu ishte i domosdoshëm, në mënyrë që ashtu siç përsërit herë pas here ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Policia e Shtetit të pastrohet nga punonjës të tillë. Por çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër, ata të ndershmit, që në fakt përbëjnë shumicën e totalit prej 11 mijë punonjësish?

“Unë personalisht nuk e kam të qartë se si do i plotësoj formularët. Na thanë se ishin shumë të thjeshtë, por nuk i kuptoj. Përveç kësaj, nuk kam as kohë mjaftueshëm”, shprehet një punonjës policie. Një tjetër thotë se atë pasuri që ka ndërtuar ndër vite e ka vënë me djersë, me pagën e vet e të bashkëshortes, por nuk e ka idenë se si do e vërtetojë këtë.

“Bashkë me time shoqe kemi ndërtuar gjithçka me mund, me atë pagë që kemi marrë, me kursimet tona. Po shkoj në bankë që të marr vërtetimin që më duhet. Por ama edhe ju e dini që më përpara ne e merrnim rrogën në dorë. Nuk kalonte nga banka. Po edhe orët e natës, ato suplementare, që i kam përdorur për të ngritur këtë pasuri që kam. Ku do i gjej unë dokumentet që ta vërtetoj këtë? As në Polici nuk ekzistojnë më ato bordero”, shprehet një tjetër. Por ka edhe nga ata oficerë policie, që kanë punuar për vite me radhë në emigracion. Me ato që kanë fituar jashtë, kanë blerë shtëpi e automjete. Edhe kjo kategori ka vështirësi në plotësimin e formularëve.

“Kur shkova tek ILDKPI për të deklaruar pasurinë, më kërkuan vërtetim nga ambasada për kohën që kam punuar jashtë shtetit. Po më thoni një shqiptar që nuk ka punuar në të zezë kur ka qenë në emigracion? Çfarë vërtetimi mund të japë ambasada për punën që unë mund të kem bërë jashtë? Është e pamundur”, thotë një oficer policie.

“Formularët janë thjesht deklarata. Nuk presupozohet që kanë nevojë për njohuri specifike në ndonjë fushë të caktuar për mbushjen e tyre. U kërkohet të deklarojnë kontakte ose jo; emër mbiemër; ku banojnë; pasuritë që disponojnë, pra thjesht deklarative. Nuk besoj se kanë nevojë për ndonjë trajnim të punonjësve për ta plotësuar”. Kështu deklaronte zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, një muaj më parë. Por në fakt, nuk paska qenë kaq e thjeshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat