Flet deputetja e PD: Britania “shuplakë” qeverisë Rama, lufto krimin

Shqipëria

Flet deputetja e PD: Britania “shuplakë” qeverisë Rama, lufto krimin

Më: 15 prill 2018 Në ora: 19:55
Qeveria Rama

Partia Konservatore e Mbretërisë së Bashkuar, e Kryeministres Tereza May ka shprehur shqetësimin drejtuar qeverisë shqiptare, e cila ka treguar se nuk po bën asgjë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Këtë e bëri të ditur deputetja demokrate Fatbardha Kadiu, e cila mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga partia e Tereza May në Londër, me temë “Mbi gjithëpërfshirjen dhe ndërtimin e një qeverie, e një shteti që punon për të gjithë”.

Deputetja e PD-së bën të ditur se në të gjitha bashkëbisedimet që ka zhvilluar me përfaqësues të kësaj partie, shqetësimi kryesor ka qenë pikërisht mungesa e angazhimit serioz të qeverisë për të luftuar krimin, lidhjet e saj me eksponentë kriminalë si dhe kanabizimi i vendit.

“Jam e ftuar nga Partia Konservatore e kryeministres Tereza May në aktivitetin ‘Mbi gjithpërfshirjen dhe ndërtimin e një qeverie, e një shteti që punon për të gjithë’.
Në takimet me deputetë dhe përfaqësues të Partisë Konservatore shqetësim kryesor dhe për fat të keq temë kryesore ishte krimi i organizuar shqiptar, rritja eksponenciale e krimit, tejmbushja e burgjeve me shqiptarë.

Lidhja e qeverisë me krimin, korrupsioni si dhe projekti për kanabizimin e Shqipërisë ka përfshirë shumë qytetarë në veprimtari kriminale. Në të gjitha bashkëbisedimet me përfaqësues të Partisë Konservatore shqetësimi kryesor i bashkëbiseduesve ishte që qeveria shqiptare nuk po bën asnjë hap konkret për të ndihmuar në luftën ndaj krimit!”, – tha deputetja e Partisë Demokratike, duke shtuar: “Sigurisht që shpreha gatishmërinë tonë për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të bashkëpunuar ngushtë me Partinë Konservatore të kryeministres May si dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar”, tha deputetja demokrate e cila ndërkaq ka falënderuar Partinë Konservatore të Britanisë për ndihmën që i jep Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat