Nisin sot aplikimet për kreditë e buta në Tiranë

Shqipëria

Nisin sot aplikimet për kreditë e buta në Tiranë

Më: 16 prill 2018 Në ora: 08:47
Ilustrim

Sot nisin aplikimet për programin e kredive të buta në Tiranë, nga i cili do të përfitojnë rreth 500 familje. Faza e parë e aplikimeve që do të kryhet pranë njësive adiministrative do të zgjasë një muaj.

Specialistët bëjnë apel që qytetarët të kenë kujdes me plotësimin e formularit dhe deklarimin e të ardhurave.

Denis Latollari: “Formulari tip i jepet qytetarit nga njësia administrative dhe plotësohen të dhënat e gjendjes familjare, të të ardhurave si dhe kritere të tjera që janë në formular. Kriteret janë bërë pak më strikte sidomos në nivelin e të ardhurave që duhet të kenë familjet. Kështu që deklarimi që ata duhet të bëjnë duhet të jetë shumë i saktë për të mos pasur gabime apo skualifikime më vonë gjatë këtij programi”.

Gjithashtu, për të evituar skualifimimin për shkak të dokumenteve, kërkohet që ato të përmbushin afatin e vlefshmërisë 3 muaj.

Denis Latollari: “Çdo dokument i marrë nga zyrat shtetërore duhet të ketë vlefshmëri 3 mujore deri në mbledhjen e marrjes së vendimit nga Këshilli Bashkiak. Në rast se bëhet një mbledhje në qershor, dokumenti i dorëzuar në Bashki duhet të ketë vlefshmëri 3 mujore, pra në qershor duhet të jetë i vlefshëm, përndryshe skualifikohesh nga ky program”

Pas fazës së parë, të gjitha aplikimet e bëra në njësitë administrative për strehim nëpërmjet subvencionimit të interesave të kredisë, do të shqyrtohen në Bashkinë e Tiranës për të bërë dhe përzgjedhjen e familjeve që plotësojnë kriteret për të marrë kredi të butë më interes 3%, e cila duhet të shlyhet brenda 20 vitesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat