Arrestimet e kuksianëve, Basha: Thirrje për reagim popullor

Shqipëria

Arrestimet e kuksianëve, Basha: Thirrje për reagim popullor

Më: 16 prill 2018 Në ora: 14:35

Kryetari i Partisë Demokartike, Lulzim Basha ka publikuar ditën e sotme një video ku tregohen pamjet që vërtetojnë rrëmbimin e qytetarëve kuksianë në mes të natës dhe sipas tij dëshmojnë se arrestimet e tyre janë bërë në mënyrë të paligjshme, dhe më pas policia dhe prokuroria kanë falsifikuar në bashkëpunim me njëra-tjetrën dokumentat zyrtare.

“Ky është një krim shtetëror i kryer me ftohtësi kriminale dhe në bashkëpunim kriminal mes policisë dhe prokurorisë! Ky krim shtetëror tregon qartë se në Shqipëri është instaluar një polici dhe prokurori politike dhe ekstraligjore, e cila shkel dhe dhunon të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë sepse është vënë në shërbim të regjimit të Edi Ramës.

Misioni i këtyre institucioneve të kapura nuk është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por lufta kundër çdokujt që rrezikon apo kundërshton regjimin e Edi Ramës”, shkruan Basha.

Më tej ai shton se krimi shtetëror i rrëmbimit dhe burgosjes së paligjshme të qytetarëve të pafajshëm kuksianë duhet të ndëshkohet.
“Kjo është thirrje për një reagim popullor kundër padrejtësisë ndaj kuksianëve kurajozë që mbahen si kriminelë në burg, ndërkohë që kriminelët e vërtetë janë të lirë. Ne jemi me kuksianët. Ne jemi me popullin. Ky regjim kriminal duhet të ndalet dhe se bashku duhet të rivendosim demokracinë, drejtësinë dhe dinjitetin e njerëzve të thjeshtë”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat