"Kuksianët", Ministria e Brendshme reagon pas akuzave të PD-së

Shqipëria

"Kuksianët", Ministria e Brendshme reagon pas akuzave të PD-së

Më: 16 prill 2018 Në ora: 22:40
Ilustrim

Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me akuzat e opozitës për arrestimin e protestuesve të Kukësit, të cilët kundërshtuan taksën e “Rrugës së Kombit” dhe në shenjë proteste dogjën sportelet ku do të bëhej pagesa duke u përplasur edhe me forcat e policisë.

Në reagimin e saj ministria e Brendshme shprehet se pas akuzave të bëra nga opozita është bërë verifikimi i nevojshëm për punonjësit e policisë të cilët u angazhuan në protestën e Kukësit. Sipas saj janë respektuar ligjet dhe ëshë bërë zbatimi i urdhërimeve nga organi i Prokurorisë.

Ministria e Brendshme sqaron çdo gjë tjetë është spekulim dhe sulme politike për të hedhur “balt” ndaj Policisë së Shtetit. Ishte opozita qe sot faktoi me pamjet e kamerave te sigurise se kuksianet ishin arrestuar gjate nates, dhe jo sic pretendon prokuroria me policine.

Gjithashtu në këtë reagim shkruhet se personat që morën pjesë në protestë ishin me precedent të mëparshëm penal, gjë e cila shpjegon dhe dhunën me policisë dhe qytetarëve.

Reagimi
Në përgjigje të deklaratave të zyrtarëve të PD, bërë pas takimit të Ministrit të Brendshëm me qytetarë të Elbasanit, e vlerësojmë të arsyeshme të reagojmë si vijon:
Lidhur me ndalimin e disa shtetasve, të cilët ishin pjesëmarrës në djegiet dhe shkatërrimet e pasurisë publike dhe asaj private në protestën e zhvilluar pranë tunelit të Kalimashit, Policia e Shtetit konform ligjit ka bërë zbatimin e urdhërimeve përkatëse të ndalimit të lëshuara nga organi i Prokurorisë, veprime të cilat në vlerësimin tonë janë tërësisht të ligjshme dhe në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.
Ndalimi dhe vlerësimi i masave të sigurisë është bërë nga Gjykata dhe është ky autoriteti, i cili vendos për lirimin ose jo të shtetasve të arrestuar.

Në kushtet kur politikanët opozitarë deklarues të sotëm e kuptojnë shumë mirë këtë çështje nga pikëpamja ligjore, qëndrimi i tyre kundër Policisë së Shtetit nuk është veçse një spekulim i pastër politik.

As policia dhe askush tjetër nuk mundet të imponojë gjykatën në vendimet e saj.
Ajo çfarë Policia e Shtetit mundet të sjellë në vëmendje në lidhje me këtë rast është fakti se disa prej të ndaluarve për këtë ngjarje janë persona përsëritës të veprave penale të ndryshme dhe disa edhe me precedent penalë.

Jemi të bindur se qytetarët e ndershëm të Kukësit, por jo vetëm ata, janë të distancuar nga elementë të cilët të drejtën e kundërshtimit edhe nëpërmjet protestës ndaj politikave të caktuara ekonomike të qeverisë e shfrytëzojnë për dhunë dhe qëllime të tjera politike.

Në respekt të ligjit, Ministria e Brendshme nëpërmjet SHÇBA-së bëri një verifikim të sjelljes së punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar me mbarëvajtjen e protestës së Kalimashit dhe rezulton qartësisht se është respektuar i gjithë protokolli për këtë rast, si dhe janë respektuar në mënyrë shumë korrekte kërkesat e dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithkush nga politikanët opozitarë ka mundësinë të bëjë verifikimet përkatëse për sa më sipër dhe t’i rezervojë vetes të drejtën për të mos spekuluar politikisht.
Politikanë të caktuar të opozitës, të cilët e kanë bërë modë tashmë sulmin kundër Policisë së Shtetit, duhet të kuptojnë se sulmet absurde kundër këtij institucioni janë tërësisht në kundërshtim me interesin publik për rend dhe siguri dhe kanë vetëm një synim, të dëmtojnë punën e Policisë së Shtetit.

Për sa u përket sulmeve personale në adresë të Ministrit të Brendshëm dhe familjarëve të tij, sqarojmë se për to është dhënë përgjigje publike në mënyrë të përsëritur.
Vazhdojnë të flasin për njerëz dhe ngjarje, të cilat lidhen me kohën kur kjo opozitë ishte në qeveri dhe ka patur gjithë dijeninë dhe mundësinë për të bërë çfarë ajo pretendon se duhet të bëhet sot.

Gjithsesi, opozita ka sot gjithë lirinë dhe mundësinë e nevojshme që, nëse ka prova e fakte konkrete për zyrtarë të qeverisë, apo edhe për familjarë të tyre, të sillet në mënyrë serioze dhe në respekt të ligjit t’i prezantojë ato pranë organit kompetent, Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo është detyrë e çdo qytetari të përgjegjshëm në këtë vend.

Nga ana tjetër ndihemi të keqardhur që, në kohën kur policia po realizon aksione tepër të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit e trafikut të drogës dhe kapjes së autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, në vend që të bëhen vlerësime, vijojnë sulmet mediatike, të cilat tentojnë të relativizojnë rëndësinë e këtyre aksioneve.
Njëherësh, është gati si fatkeqësi që njerëz, të cilët kanë pasur gjithë pushtetin e mundshëm për të bërë diçka kundër krimit e drogës, dhe nuk kanë bërë asgjë, të dalin sot e të kërkojnë llogari, sikur të kishin zbritur nga një planet tjetër.

Lufta kundër krimit ka një kriter të pazëvendësueshëm matës – atë të rezultateve.
Gjithçka tjetër është retorikë e kotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat