Një ditë pasi Shqipëria mori rekomandimin për negociatat me BE, ja mesazhi që ka Greqia

Shqipëria

Një ditë pasi Shqipëria mori rekomandimin për negociatat me BE, ja mesazhi që ka Greqia

Më: 18 prill 2018 Në ora: 10:41
Kotzias

“Greqia ka qenë për një kohë të gjatë mbështetëse e zgjerimit të Bashkimit Evropian, me kushtin e qartë se parakushtet e vendosura, duke përfshirë respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të përmbushen dhe zbatohen në rastin përkatës të secilit vend kandidat”.

Kështu e nis reagimin e saj ministria e Jashtme greke, në deklaratën për shtyp bërë sot, datë 18 Prill, një ditë pasi Komisioni Evropian i rekomandoi Këshillit të BE celjen e negociatave me Shqipërinë.
Siç thuhet në reagimin e Ministrit grek të Jashtëm Kotzias, “Si një vend fqinj, Greqia po punon sistematikisht për të promovuar marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në mënyrë të veçantë në lidhje me Shqipërinë, vendi ynë është i përqendruar në të drejtat e pakicave dhe të drejtën e pronës, si dhe në nevojën për luftën efektive të krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës”.

“Sa i përket ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ka ende një rrugë të gjatë për të mbuluar hendekun e krijuar nga ndasitë në vitet e fundit. Stabiliteti dhe përparimi i vendit janë me interes jetik për Greqinë. Vërejmë se kjo është hera e shtatë që vendi ka marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian. Megjithatë, përsëri duhet të bëhet e qartë për të gjitha palët që vendimet nuk merren nga Komisioni, por nga Këshilli, ku Greqia ka vendosur qartë qëndrimet e saj.

Greqia ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen e saj të fortë për perspektivën evropiane të Turqisë. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë bërë edhe një herë të qartë se është në dorë të vetë Turqisë për të treguar në praktikë dhe në çfarë mase dëshiron të shkojë përpara në rrugën e saj evropiane.

Ne mirëpresim deklaratën e Komisionit Europian që sjellja provokative e Ankarasë ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Europian, kryesisht në Egje dhe Mesdheun Lindor, nuk është thjesht një çështje dypalëshe, por gjithashtu ka të bëjë edhe me sigurinë rajonale të Bashkimit. Për më tepër, ne jemi veçanërisht të kënaqur me referimin e shprehur për dy ushtarët grekë që vazhdojnë të mbahen në Edirne.

Në përgjithësi, zgjerimi i ardhshëm i Bashkimit varet drejtpërdrejt nga nevoja për të kryer një debat serioz dhe substancial për të ardhmen tonë të përbashkët brenda një Evrope demokratike, sociale, të drejtë dhe efektive. Një Europë që i plotëson pritjet e popujve të saj”, e mbyll reagimin ministri Kotzias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat