Ndërmjetësit ligjorë, ministrja Gjonaj njofton vendimin: Hiqet licenca për ata që…

Shqipëria

Ndërmjetësit ligjorë, ministrja Gjonaj njofton vendimin: Hiqet licenca për ata që…

Më: 19 prill 2018 Në ora: 14:21
Etilda Gjonaj

Të gjithë ndërmjetësit ligjorë, të cilët janë licencuar, por që nuk e ushtrojnë profesionin e tyre për 2 vjet rresht, do u hiqet licenca. Këtë deklaratë e bëri dje në Komisionin e Ligjeve, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila propozoi se në projektligjin për “Ndërmjetësimin ligjor”, duhet të ndërmerren disa ndryshime rrënjësore.

Dje, Komisioni i Ligjeve e ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës projektligjin për “Ndërmjetësimin ligjor”. Ky projektligj është pjesë e paketës së ligjeve të Reformës në Drejtësi.

Roli i ndërmjetësit ligjor në Shqipëri nuk është shumë i njohur, qytetarët, të cilët janë në prag divorci apo ata që kanë konflikte nga më të ndryshimet, shkojnë direkt në Gjykatë dhe nuk e ezaurojnë si mundësi fazën e ndërmjetësimit. Ministrja Gjonaj tha dje, se në Shqipëri janë të licencuar 567 ndërmjetës ligjorë, por funksionin real e ushtrojnë vetëm 73 prej tyre.

NDRYSHIMET

Për ministren, ligji aktual në fuqi ka pasur një sërë problemesh në zbatim dhe për ta bërë atë sa më të mirë dhe që të rikthejë besimin e qytetarëve te ndërmjetësimi, kërkon vendosjen edhe të sanksioneve.

“Ministria e Drejtësisë, nga problematikat e hasura në praktikë e zbatimit të këtij ligji deri tani dhe duke e harmonizuar me kuadrin ligjor në fuqi, sugjeron që projektligji të këtë parashikime specifike, që sot mungojnë, lidhur me rregullat e pezullimit të ushtrimit të veprimtarisë. Bëhet fjalë për ata që janë licencuar, por që nuk e ushtrojnë efektivisht profesionin e tyre. Ne kemi propozuar që për një periudhë kohore, nëse ndërmjetësit nuk e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, një sugjerim është deri në 2 vjet, licenca e tyre të hiqet. Duhet të parashikohet procedura disiplinore, shkeljet dhe masat disiplinore, mekanizma që kryejeni mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre në aspektin profesional dhe rregullimet për trajnimin fillestar dhe vazhdues”, ka thënë dje Gjonaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat