Gjonaj: Mbështetja më e madhe buxhetore e qeverisë për institucionet e vettingut

Shqipëria

Gjonaj: Mbështetja më e madhe buxhetore e qeverisë për institucionet e vettingut

Më: 21 prill 2018 Në ora: 19:27
Pamje nga takimi

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka deklaruar se qeveria shqiptare ka ofruar të gjithë mbështetjen buxhetore për institucionet e vettingut.

Gjatë një takimi të zhvilluar me avokatë, noterë dhe juristë të qytetit të Fierit, Gjonaj diskutoi lidhur me çështjet e reformës në drejtësi,  ecurinë e saj, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe efektet që do ketë ajo për qytetarët, por edhe për aktorët e fushës së drejtësisë.

Gjonaj: Qeveria shqiptare e ka mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme reformën në drejtësi dhe në një kohë shumë të shkurtër ka bërë gati të gjitha aktet nënligjore duke i miratuar ato, për sa i përket infrastrukturës dhe mbështetjes buxhetore. Është mbështetja buxhetore më e madhe që u është dhënë në një kohë kaq të shkurtër komisioneve, të cilët po kryejnë vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ministrja ka bërë një prezantim të plotë të ecurisë së reformës dhe ndryshimeve cilësore që ajo do të sjellë, veçanërisht në rikthimin e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë, ndërsa ka theksuar se reforma në drejtësi ishte një nga arritjet më të rëndësishme, të vlerësuara dhe nga Komisioni Europian në dhënien e Rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Gjatë diskutimit për projektligjin e ri “Për profesionin e avokatit”, pjesë e paketës ligjore të profesioneve të lira, ministrja Gjonaj ka theksuar se projektligji është diskutuar dhe konsultuar në tryeza të ndryshme me grupet e interesit.

Sipas saj, ndër risitë e ligjit janë forcimi i trajnimit fillestar, ose i shkollës, që Dhoma Kombëtare e Avokatisë ofron për avokatët e rinj dhe trajnimin vazhdues detyrues për çdo avokat

Gjonaj: Ligji synon forcimin e masave disiplinore. Ministria e Drejtësisë e ka aktualisht një rol në Komisionet Disiplinore të Avokatisë, por më duhet të pranoj se nuk ka qenë në lartësinë e duhur dhe nuk ka përmbushur detyrat e tij në mënyrën më funksionale të mundshme.

Ministrja ka pranuar se në pjesën më të madhe gjykatat kanë probleme infrastrukturore, por ajo ka theksuar se harta e re gjyqësore, që shumë shpejt do të miratohet me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të bëjë një ndryshim dhe një organizim të gjykatave nëpër rrethe gjyqësore.

Më pas qeveria do të mbështesë me investime rikonstruksionin e godinave të gjykatave, në të cilat do të parashikohen edhe mjedise të veçanta pune për avokatët.

Ministrja u është përgjigjur edhe shqetësimeve të ngritura nga avokatët dhe noterët lidhur me punën e tyre të përditshme dhe marrëdhëniet me institucionet e tjera që varen nga MD si ZRPP apo ALUIZNI.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat