Përmbytje nga plastika, në Shqipëri 150 mijë ton në vit

Shqipëria

Përmbytje nga plastika, në Shqipëri 150 mijë ton në vit

Më: 21 prill 2018 Në ora: 20:34
Ilustrim

Nga shishet e ujit, celulari, kompjuteri, lodrat e stilolapsat. Çdo ditë jemi të rrethuar nga produkte plastike por shumë pak jemi në dijeni të efekteve negative që shkaktojnë në shëndet. 

Sipas studiuesve, substancat e dëmshme kimike që përdoren për prodhimin e plastikës janë shkaktarë të kancerit, astmës dhe problemeve të tjera të sisitemit riprodhues. 

Por jo vetëm në shëndet, plastika është kthyer në një shqetësim serioz edhe për mjedisin, tokën, lumenjtë e detet. Ambientalistët shqiptarë e cilësojnë alarmante ndotjen e mjedisit. 

Sipas tyre, nga 1 milion ton mbetje rreth 150 mijë janë mbetjet plastike, toksinat e rrezikshme të të cilave mund të kalojnë në piramidën ushqimore.

Lavdosh Ferruni: Ky alarm është vizibël, e sheh  çdonjëri buzë lumenjve që tani po zktivizojmë ushtrinë.

Për të eleminuar efektet në mjedis ata apelojnë për ricikilimin e tyre dhe jo djegien.

Lavdosh Ferruni: Djegia ndryshe nga kompozimi në forma të tjera apo riciklimi, ripërdorimi, djegia prodhon helme të konfirmuara shkencërisht që janë shumë të dëmshme për shëndetin deri kancerogjene.

Nisur nga efektet negative të përdorimit të produkteve plastike, Bashkia Tiranë prej dy vitesh ka hedhur hapin e parë në këtë drejtim. 

Impakti ka qenë pozitiv, pasi 50 biznese më të cilët është lidhur marrëveshje kanë eleminuar në 60% përdorimin e qeseve plastike.

Diana Mile: Kësaj nisme i janë bashkuar njësi të tjera dyqanesh dhe së fundmi në dhjetor 2017 kemi nisur bashkëpunim shumë të mirë me tregjet, siç është eksperienca me Pazarin e Ri. Qeset plastike shpërndahen shumë lehtë dhe në momentin ku ato depozitohen duan 400-1000 vjet të degradohen, duke qenë dhe një material shumë rezistent krijojnë problematika të mëdha.

Por nuk mjaftojnë vetëm politikat e ndjekura nga pushteti qendror dhe ai lokal, i domosdoshëm është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve. 

Dionis dhe Tefta Bengo prej disa vitesh po përpiqen të evitojnë përdorimin e produkteve plastike në familjen e tyre.

Tefta Bengo: Unë në shtëpi për të vënë ushqimet në frigorifer përdor enë qelqi, nuk përdor plastikën.

Dionis Bengo: Plastikën e kemi hequr me kohë duke dëgjuar dhe televizionet që është i dëmshëm. Kur bëjmë pazar kemi marrë një çantë posaçërisht për këtë punë.

Të tjerë të vetëdijshëm për rrezikun e përdorimit, thonë se e kanë të pamundur të eleminojnë produktet plastike.

Qytetarja: Derisa njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm kjo punë do të vazhdojë por absolutisht që duhet eleminuar.

Përdorimi i produkteve plastike tashmë është një problem ndërkombëtar ku sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara prodhimi vjetor i plastikës është rreth 300 milion tonë, ndërsa sasia e materialeve plastike e prodhuar në 100 vitet e fundit është e mjaftueshme për të paketuar 6 herë tokën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat