Shembja e Teatrit, zbardhet vendimi i Bashkisë që e kalon pronën tek investitori privat

Shqipëria

Shembja e Teatrit, zbardhet vendimi i Bashkisë që e kalon pronën tek investitori privat

Më: 23 prill 2018 Në ora: 13:16
Bashkia Tirane

Bashkia e Tiranës është e hapur për ndërtime në pronat e saj, të papërdorshme e të pashfrytëzueshme deri më sot. Për këtë, ka përgatitur rrugën e negocimit me privatët që dëshirojnë të ndërtojnë në parcelat e saj, por jo vetëm. Ajo ka bërë kërkesë, që një listë me 18 prona shtetërore të kalojnë në favor të saj, me qëllim për t’i përdorur në arsim, infrastrukturë dhe ekonomi.

Ndonëse nuk specifikohen zonat, në të cilat pushteti vendor mund të bëjë ç’të dojë me to, procedura e kalimit të tyre tek investitori do të jetë e vlefshme edhe për ndërtimet te Teatri Kombëtar. Gazeta zbardh projektvendimin e firmosur nga nënkryetari i bashkisë, Abaz Hado, i cili do të diskutohet së bashku me dhjetë të tjera në Këshillin Bashkiak, këtë të enjte më 26 prill.

PROCEDURA

Transformimi i qytetit dhe përfitimi ekonomik janë dy qëllimet kryesore të përmendura në relacionin e projektvendimit në fjalë. “Përfshirja e parcelave publike në zhvillim është një potencial i pashfrytëzuar ekonomik për Bashkinë Tiranë, e cila jo vetëm do të mundësojë përmirësimin e transformimit urban të kryeqytetit, por do të kontribuojë drejtpërdrejt në përfitimin ekonomik të bashkisë nga zhvillimi i aseteve të pashfrytëzuara dhe të papërdorshme në mënyra të tjera, përfitime të tilla si, në sipërfaqe ndërtimi, minimalisht në të njëjtën trajtë, si dhe përfitimet që do të jenë nga pronarët e parcelave private kufitare, të dhëna për zhvillim”, nënvizohet në relacionin shpjegues të vendimit.

E gjitha kjo bazohet në vendimin e rreth një viti më parë të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për miratimin e planit të përgjithshëm vendor, Bashkia Tiranë”, ku në nenin 39 të saj parashikohen rastet kur mbi pronat me përdorim publik mund të delegohen të drejta zhvillimi proporcionalisht të barabarta me të gjitha pronat private, pjesë të zonave të zhvillimit.

Në këtë rast, është bashkia, si pronare e tokës, ajo që ka të drejtën për zhvillimin e zonës dhe që praktikisht mund ta mbajë siç është, ta shkëmbejë ose edhe ta shesë. Në rastin konkret, synim janë marrëveshjet me investitorët për ndërtime të reja, ku një përqindje e caktuar e së cilës do të jenë në pronë- si të bashkisë.

ZONAT KU DO NDËRTOHET

Në syrin e urbanëve, të parat që do të shikohen të përshtatshme për ndërtim do të jenë parcelat e bashkisë në kufi me ato private. “Bashkia Tiranë, në përmbushje të qëllimit të saj më të madh, interesit publik, me qëllim ushtrimin e detyrave funksionale në fushën e zhvillimit dhe planifikimit të territorit si dhe përdorimit sa më efikas të tij, konsideron të domosdoshme përfshirjen e parcelave me pronësi publike, në pronësi të Bashkisë Tiranë, në zhvillim, së bashku me parcelat private kufitare.

Në kontekstin e planifikimit dhe projektimit është një kusht i domosdoshëm zhvillimi i parcelave publike për transformimin e kryeqytetit në një qytet cilësor dhe të qëndrueshëm”, thuhet në relacion. Bashkia posedon një numër të madh pasurish të paluajtshme, një pjesë prej të cilave kanë nisur të degradohen. Me këtë vendim, këto pasuri jo vetëm që do të jenë të shfrytëzueshme, por do të shërbejnë edhe për kauza sociale, si strehimi për shtresat në nevojë apo edhe për të plotësuar nevojat e bashkisë për zyra.

ÇFARË FITON BASHKIA

Një subjekt privat duhet të sigurohet që prona që do të zhvillojë, të jetë në përputhje me elementët e planifikimit të territorit për të paraqitur në bashki kërkesën për ndërtime. Vendimi i bashkisë parashikon ngritjen e një komisioni negocimi të marrëveshjes, të përbërë nga 5 anëtarë, të cilët duhet të ruajnë informacionin konfidencial. Por çfarë do të fitojë bashkia? Përveçse transformon qytetin në aspektin zhvillimor, pushteti vendor nxjerr edhe përfitime ekonomike.

Cilido subjekt që i afrohet bashkisë me një propozim, duhet ta dijë që së paku 35% e sipërfaqes së ndërtuar mbi truallin e saj duhet t’i kalojë automatikisht asaj dhe minimalisht 50%, në rastet kur bëhet fjalë për një godinë. “Sipërfaqja taksuese ndërtimore që do të përfitohet nga Bashkia e Tiranës, e cila në çdo rast duhet t’i referohet përqindjes më të lartë të kontratave të lidhura me zonën përreth, por në çdo rast kjo përqindje nuk mund të jetë më pak se 35% e sipërfaqes ndërtimore për pjesën takuese që bashkia tiranë ka vendosur në dispozicion të zhvilluesit privat.

Në rast se prona është godinë, atëherë bashkia duhet të përfitojë të njëjtën sipërfaqe ndërtimore që i ofrohet zhvilluesit privat, por në asnjë rast jo më pak se 50% e sipërfaqes”, përcaktohet në elementët e marrëveshjes në vendim. Marrëveshja midis bashkisë dhe investitorit firmoset nga kryebashkiaku dhe kthehet për miratim nga Këshilli Bashkiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat