Numri i aksidenteve rrugore dhe personave të aksidentuar kanë shënuar një rënie gjatë tremujorit të parë të vitit 2018.
Po ashtu, në rënie është evidentuar edhe numri i personave që kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe.
Sipas INSTAT në tremujorin e parë 2018 numërohen 370 aksidente rrugore, nga 388 krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 4.6%.
Ndërkohë, gjatë muajit Mars kanë ndodhur 123 aksidente rrugore, nga 152 të ndodhura gjatë Marsit të vitit 2017.
Lidhur me numrin e të aksidentuarve, sipas INSTAT për këtë tremujor, numri i tyre shkon në 483, duke ulur 8.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, numri i të vdekurve për këtë periudhë është 47. 14.5% më pak krahasuar me një viti më parë.
Gjatë Marsit të këtij viti janë aksidentuar 160 persona, që krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë, e cila numëronte 213, ka shënuar një rënie me 24.9%.
Lidhur me shkaqet e aksidenteve rrugore, sipas INSTAT vihet re rritja e numrit të tyre për shkak të sjelljes së këmbësorëve. Këta të fundit kanë shkaktuar edhe 21.6% të aksidenteve, duke shënuar një rritje me 12.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa, evidentohet në rënie me 8.5% numri i aksidenteve të ndodhura si rrjedhojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, që gjatë kësaj periudhe numëron 290 raste, nga 317 të ndodhura në periudhën Janar-Mars 2017.
Lidhur me grupmoshën që ka shkaktuar edhe numrin më të lartë të aksidenteve gjatë periudhës Janar-Mars 2018, rezulton 25 deri në 35 vjeç, ndjekur nga grupmosha 76 vjeç.
Numri më i lartë i aksidenteve të ndodhura në këtë tremujor rezulton në qarkun e Tiranës, ku evidentohet një rritje e lehtë e rasteve të ndodhura krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017. Ndërsa, numri më i ulët rezulton në qarkun e Kukësit, me vetëm katër aksidente të ndodhura gjatë kësaj periudhe.